Giorgia Meloni betohet si kryeministre e Italisë
Liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni ka bërë betimin sot, si kryeministrja e parë femër e Italisë.
Meloni fitoi zgjedhjet në një fushatë të ndërtuar rreth premtimit për të bllokuar anijet e emigrantëve, për mbështetje të “vlerave familjare trandiconale” e për temat anti-LGBTQ.
Në një ceremoni të mbajtur në Pallatin Quirinale në Romë, Meloni u betua nga presidenti italian Sergio Mattarella.
Ajo kryeson një aleancë të partive të ekstremit të djathtë dhe të qendrës së djathtë, dhe do të formojë qeverinë më të djathtë që Italia ka parë në dekada.
Fitorja e Melonit në zgjedhjet parlamentare muajin e kaluar sugjeron se joshja e nacionalizmit mbetet e pandërprerë në Itali – por zotimi i saj për ta çuar vendin në një kthesë të fortë nga e djathta ka lënë shumë njerëz të pasigurt se çfarë do të ndodhë më pas.
Qeveria e re përbëhet nga një koalicion me dy liderë të tjerë të krahut të djathtë. Njëri është Matteo Salvini, një ish-ministër i Brendshëm, ndërsa tjetri është Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian i qendrës së djathtë që mbahet mend gjerësisht për skandalet e tij seksuale “bunga bunga” me vajzat e reja. Të dy burrat e lartëpërmendur kanë shprehur publikisht admirim për presidentin rus Vladimir Putin, gjë që ka ngritur pikëpyetje se cila do të jetë qasja e koalicionit ndaj Rusisë.
Kujtojmë se vetëm pak ditë para se të nisin konsultimet për formimin e qeverisë, doli në media një audio e regjistruar fshehurazi në të cilën Berlusconi fajësonte Ukrainën për luftën dhe mburrej se kishte rregulluar marrëdhëniet me Putinin.
Megjithatë, përkundër reagimeve ndaj Berlusconit, Meloni e cila ka qenë që nga fillimi mbështetëse e Ukrainës, u mundua ta bëjë të qartë se ku do të qëndrojë ajo në lidhje me politikën e jashtme.
“Kam qenë dhe do të jem gjithmonë e qartë, kam ndërmend të drejtoj një qeveri me një politikë të jashtme të qartë. Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe e Aleancës Atlantike. Kushdo që nuk është dakord me këtë gur themeli nuk do të jetë në gjendje të jetë pjesë e qeverisë. Me ne që qeverisim, Italia nuk do të jetë kurrë lidhja e dobët e Perëndimit”, është shprehur ajo.
Ditën e shtunë përkrah Melonit, betimin e bënë edhe 24 ministra – gjashtë prej tyre femra.

