Gënjeu për vdekjen e nënës, gjyshërit, shkollimin e shumëçka: Kongresmeni i zgjedhur lë gojëhapur Amerikën - NACIONALE

Gënjeu për vdekjen e nënës, gjyshërit, shkollimin e shumëçka: Kongresmeni i zgjedhur lë gojëhapur Amerikën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa Kevin McCarthy po e ka të zorshme që të zgjidhet Folësi i Dhomës së Përfaqësuesve duke e turpëruar partinë e tij (Republikane) një kongresmen i këtij kampi ka bërë bujë të madhe në mediat amerikane. Ai ka gënjyer... për gjithçka!

Atij po i referohen mediet vazhdimisht si “gënjeshtar serik” për shkak të shumë e shumë gënjeshtrave që ka bërë përgjatë kohës sa po bënte fushatë për t’u zgjedhur kongresmen.

Pardje, ai e nisi punën në këtë pozitë të rëndësishme, dhe siç shkruan The New York Times, “ishte e sikletshme”.

Santos është 34 vjeçar që do të përfaqësojë Nassau Countin dhe disa zona të Queensit të New Yorkut.

Një hulumtim ‘eksploziv’ muajin e kaluar e nxiti një valë akuzash ndaj Santosit dhe zbuloi gënjeshtra të jashtëzakonshme të thëna prej tij. Ai ishte kapur duke gënjyer për origjinën e tij, origjinën e familjes, shkollimin, punët që kishte bërë, paratë që kishte dhe për anën bamirëse.

Më poshtë keni disa prej rrenave më të mëdha prej tij të listuara nga The Daily Beast.

Rrena se ishte pasardhës hebrejësh

Santosi, që ka lindur nga prindër emigrantë brazilianë (mund ta vëreni prej mbiemrit) në mënyrë të përsëritur ka thënë që është katolik por që e identifikon veten edhe si hebre. Në biografinë e tij, Santosi shkroi që gjyshërit nga ana e nënës ishin hebrej që kishin ikur nga persekutimi që ndodhte në Ukrainë gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’u vendosur në Brazil.

Ai ka thënë që familja e kishte ndryshuar edhe mbiemrin, që kinse e kishte pasur Zabrowsky. Kjo u bë një pjesë e rëndësishme e fushatës së tij. 20 për qind e votuesve ishin hebrej.

Por, shumë media provuan të gjenin prova se nga ana e nënës ai kishte rrënjë hebreje. Doli se... jo!

Rrena për shkollimin

Përveç kësaj, Santosi ka gënjyer edhe për atë se ku ka kryer shkollën e mesme dhe studimet.

Ai kishte thënë që kishte qenë nxënës në shkollën elitare private Horace Mann dhe atë Baruch College, por asnjëra s’ishte e vërtetë.

Rrenat për nënën

Santosi pretendoi që që nëna e tij, Fatima Devolter, kishte vdekur për shkak të sulmit terrorist të 11 shtatorit.

“Nëna ishte në zyrën e saj në Kullën Jugore më 11 shtator 20211, gjatë ngjarjeve tmerruese që ndodhën atë ditë,” – thuhej në Biografinë e Santosit.

Në fakt, nëna e Santosit kishte vdekur më 23 dhjetor 2016, ose 15 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit

Rrena se ishte i madh në Wall Street

Pas rrenës se kishte diplomuar në kolegjin e lartpërmendur, Santosi kishte gënjyer edhe se kishte punuar në Citigrup si një menaxher i asociuar asetesh në divizionin e patundshmërive. Një zëdhënës i Citigroup-it tha se jo vetëm që Santosi nuk kishte punuar aty, por ajo punë as që ekzistonte.

Më pas, Santosi tha se kishte punuar edhe për të famshmen Goldman Sachs.

Një zëdhënës për Goldman Sachs i tha Timesit se Santosi nuk kishte punuar kurrë aty.

Rrena se kishte bërë bamirësi për qentë

Pas karrierës së rreme në Wall Street, Santosi pretendoi se i ishte kthyer filantropisë. Në biografinë e tij online, ai pretendoi se kishte nisur një strehimore kafshësh të quajtur Friends and Pets United. Për pesë vjet, thuhej se ishin shpëtuar 2400 qenë e 280 mace.

Doli se nuk kishte ndonjë organizatë të regjistruar fare me atë emër.

Rrena për punëtorët

Kongresmeni i zgjedhur Santos kishte pretenduar që kompania e tij i kishte humbur katër punëtorë në masakrën në klubin e natës LGBTQ në Orllando më 2016. Pasi u këqyrën emrat e viktimave doli asnjë nga 49 viktimat nuk kishte punuar për Santosin.

Rrena se kishte qenë gjithnjë gay

Në qendër të fushatës së tij ishte identiteti i tij si një burrë gay e krenar.

Por, tash duket se Santosi nuk ka qenë krejtësisht i hapur as për seksualitetin e tij. The Daily Beast zbuloi që ai nuk e kishte përmendur fare martesën me një grua prej të cilës ishte divorcuar vetëm 12 ditë para se të niste fushata elektorale e parë e tij në vitin 2020 ku e përshkruante veten si “gay e krenar” Republikan.

E lexues të dashur, rrenat as që ndalen këtu por në redaksinë tonë kemi edhe punë tjera për të bërë.

Lajme të ngjashme