Frikë nga persekutimi, mbi 20 mijë hebrenj largohen nga Rusia për në Izrael
Rusia po përballet me migrim masiv jashtë vendit të një numri të madh të popullsisë së saj hebreje, me të paktën një në tetë persona që largohen nga vendi që nga fillimi i luftës së saj me Ukrainën.
Sipas BBC-së, Agjencia Hebraike është ajo që ndihmon hebrenjtë në mbarë botën të lëvizin për në Izrael. Agjencia ka njoftuar se nga gjithsej 165,000 hebrenj që jetojnë në Rusi, të paktën 20,500 persona janë larguar që nga marsi për në Izrael, ndërsa mijëra të tjerë janë shpërngulur në vende të tjera.
Që nga rënia e komunizmi, në Moskë, ka pasur një përpjekje të madhe për të zhvilluar komunitetin hebre. Në krye të kësaj përpjekje ishte Pinchas Goldschmidt, kryerabini i qytetit që nga viti 1993.
“Ne filluam nga e para me sinagogat, shkollat, kopshtet, shërbimet sociale, mësuesit, rabinët dhe anëtarët e komunitetit”, tha ai.

Por vetëm dy javë pas luftës këtë vit, rabini Goldschmidt dhe familja e tij u larguan nga Rusia, fillimisht në Hungari dhe më pas në Izrael.
Më pas ai u largua edhe nga pozicioni i tij dhe u shpreh kundër luftës.
“Ndjeva se duhej të bëja diçka për të treguar shkëputjen dhe mosmarrëveshjen time totale me këtë pushtim të Ukrainës, por do ta rrezikoja veten nëse do ta kisha bërë këtë duke qëndruar në Moskë,” u shpreh ai.
Fillimisht rabini, ishte kritikuar nga disa hebrenj rusë të shqetësuar se kjo do të nënkuptonte më shumë kontrollë ndaj komunitetit, por rabini Goldschmidt tha se shumica ishin mbështetës.
“Kam marrë disa mesazhe duke thënë: “Si mund të na lini vetëm? por do të thosha se shumica e madhe ishte jashtëzakonisht mbështetëse. Nuk ishte një hap i vogël për të vendosur nëse do të shkonim, pasi për mua dhe gruan time komuniteti ishte jeta jonë," thotë ai.
Megjithatë, që nga ikja e tij një numër i madh njerëzisht kanë ndjekur të njejtin shembull, ku shumë prej tyre kanë shfrytëzuar mundësinë për të shkuar në Izrael, ku Ligji i Kthimit i jep të drejtën e nënshtetësisë kujtdo që mund të provojë se ka të paktën një gjysh hebre.