Ukraina pranon jozyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet që goditën Krimenë
Një zyrtar ukrainas ka bërë të ditur për CNN, se Ukraina ishte pas tre shpërthimeve që tronditën objektet ushtarake ruse në provincën e aneksuar të Krimesë javën e kaluar, duke përfshirë një shpërthim në një bazë ajrore ruse në bregun perëndimor të gadishullit që shkatërroi disa aeroplanë.
Zyrtari ndau këto informata të fshehta, bazuar në një raport që qarkullonte brenda qeverisë ukrainase.
Raporti e përshkruan bazën ajrore Saki, e cila u trondit nga shpërthimet të martën e kaluar, si një humbje të rëndë, ndërsa sulmet e mëvonshme - si provë e aftësisë sistematike ushtarake të Ukrainës në shënjestrimin e Krimesë.
Kujtojmë se incidenti i 9 gushtit në bazën ajrore Saki, shkatërroi të paktën shtatë avionë ushtarakë, dëmtoi rëndë bazën dhe vrau të paktën një person.
E ndërsa Rusia pretendoi se ishte rezultat i një aksidenti edhe zyrtarët ukrainas deri më tani kanë refuzuar të konfirmojnë se ata ishin përgjegjës.
Megjithatë, në një fjalim të mbajtur pas incidentit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se lufta "filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me Krimenë- çlirimin e saj".
Brenda kësaj jave në Krime u raportua edhe një grup tjetër shpërthimesh, një në një depo municioni në Maiske dhe një në fushë ajrore në Gvardeyskoe.
Lidhur me incidentin e fundit në Maiske, zyrtarët rusë thanë se ishte rezultat i sabotazhit, por ata nuk specifikuan llojin, apo se kush besonin se ishte përgjegjës.
Aktet e sabotimit
Sulmet në Krime kanë ardhur pasi lëvizja e rezistencës në zonat e pushtuara ruse ka kryer akte sabotimi.
Gjatë fundjavës, zyrtarët ukrainas konfirmuan se është hedhur në erë, një urë hekurudhore pranë Melitopolit, të cilën rusët e përdornin për të transportuar pajisje ushtarake dhe armë nga Krimea e pushtuar.
E ndërsa analistët spekulojnë se ka një fushatë për të degraduar aftësinë ushtarake të Rusisë në Krime, Zelensky paralajmëroi të martën ukrainasit që jetojnë në zonat e pushtuara që të shmangin objektet ushtarake të forcave ruse.
Duke iu referuar kolonave të gjata të automjeteve civile që tentuan të largoheshin nga Krimeja për në Rusi, Zelensky tha se: "Radha këto ditë për t'u larguar nga Krimeja për në Rusi nëpërmjet urës dëshmon se shumica absolute e qytetarëve të shtetit terrorist tashmë e kuptojnë ose të paktën e ndjejnë se Krimea nuk është një vend për ta."
Agjencia ruse shtetërore rrugore raportoi të martën një rekord të ri trafiku nëpër një urë të Krimesë vetëm disa ditë pas shpërthimeve në bazën ajrore Saki.
“Gjatë ditës së 15 gushtit, 38,297 makina kaluan nëpër urë në të dy drejtimet”, thuhet në deklaratën e dhënë.
Kujtojmë se, Krimea u pushtua me forcë nga Rusia në vitin 2014 – menjëherë pasi protestuesit ukrainas ndihmuan për rrëzimin e presidentit prorus Viktor Janukoviç – kur mijëra trupa ruse-folëse të veshur me uniforma pa shenja erdhën në gadishull në fillim të marsit të atij viti.
Dy javë më vonë, Rusia përfundoi aneksimin e Krimesë në një referendum, i cili u kritikua nga Ukraina dhe pjesa më e madhe e botës si i paligjshëm, dhe më pas ky akt u konsiderua grabitja më e madhe e tokës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.