Franca mund ta ashpërsojë qëndrimin ndaj Izraelit, nëse vazhdon bllokimi i ndihmave në Gaza - NACIONALE

Franca mund ta ashpërsojë qëndrimin ndaj Izraelit, nëse vazhdon bllokimi i ndihmave në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Franca mund ta ashpërsojë pozicionin ndaj Izraelit, nëse ky shtet vazhdon që t’i bllokojë ndihmat humanitare në Gaza, tha të premten presidenti francez, Emmanuel Macron, duke ritheksuar se Parisi është i përkushtuar për një zgjidhje me dy shtete për ta zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez.

“Bllokada humanitare është duke krijuar një situatë që është e papranueshme në terren” – tha presidenti francez në një konferencë të përbashkët për gazetarë në Singapor me kryeministrin Lawrence Wong, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Prandaj, nëse nuk ka reagim që përputhet me situatën humanitare në orët dhe ditët në vazhdim, qartazi, ne do të detyrohemi që ta ashpërsojmë pozicionin tonë kolektiv” – paralajmëroi Macroni, duke shtuar se Franca mund ta shqyrtojë zbatimin e sanksioneve kundër kolonëve izraelitë.

“Por përsëri, unë shpresoj që Qeveria e Izraelit do ta ndryshojë qëndrimin e saj dhe se ne në fund do të kemi një reagim humanitar” – tha më tej presidenti francez.

Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i është kundërvënë presionit ndërkombëtar në rritje për shkak të luftës në Gaza, më vdekjeprurësja në disa dekada gjatë konfliktit mes Izraelit e palestinezëve.

Macroni po qëndronte në Singapor për një vizitë shtetërore dhe do të mbajë fjalim edhe në një forum aziatik të sigurisë, i cili këtë vit mbahet më 30 maj dhe 1 qershor.

Presidenti francez tha se vendi i tij është i përkushtuar për të punuar drejt një zgjidhjeje politike dhe e përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.

Macroni po ia mban anën njohjes së një shteti palestinez nga Franca, thonë diplomatët dhe ekspertët, vendim që do të mund ta zemëronte Izraelin dhe do të mund t’i thellonte përçarjet në Perëndim.

Zyrtarët francezë janë duke e peshuar këtë lëvizje para një konference të Kombeve të Bashkuara, e cila do të organizohet nga Franca dhe Arabia Saudite nga 17 deri më 20 qershor./Nacionale

Lajme të ngjashme