Franca lëshon fletarrestim për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad
Disa gjykatës francezë kanë lëshuar fletarrestim për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, vëllanë e tij, Maher al-Assad, dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë për përdorimin e armëve të ndaluara kimike kundër civilëve në Siri, tha të mërkurën një burim i organeve të drejtësisë.
Këto fletarrestime – të cilat kanë të bëjnë me akuzat për bashkëfajësi në krime kundër njerëzimit dhe bashkëfajësi në krime lufte – vijnë pas një hetimi për sulme me armë kimike në qytezën Douma në gusht të vitit 2013, kur ishin vrarë më shumë se një mijë njerëz, raporton agjencia “Reuters”.
Kjo është hera e parë që një fletarrestim ndërkombëtar lëshohet për presidentin sirian, forcat e të cilit ishin kundërpërgjigjur ndaj protestave më 2011 me shtypje brutale që ekspertët e OKB-së kanë thënë se përbëjnë krime lufte.
Siria mohon se përdor armë kimike, por përmes një hetimi të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike ishte vlerësuar se qeveria siriane e kishte përdorur agjentin nervor sarin në sulmin e prillit të vitit 2017 dhe se vazhdimisht e ka përdorur klorin si armë.
Presidenca siriane dhe Ministria e Informacionit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në tetor, gjykatësit francezë lëshuan fletarrestime për dy ish-ministra të Mbrojtjes për një shpërthim bombe më 2017, kur një burrë frango-sirian ishte vrarë në shtëpinë e tij në Daraa.
