Javën e ardhshme në GjND nisin seancat për pretendimet për tortura në Siri - NACIONALE

Javën e ardhshme në GjND nisin seancat për pretendimet për tortura në Siri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dëgjojë më 19 dhe 20 korrik një kërkesë të Holandës dhe Kanadasë që ky institucion ta urdhërojë Sirinë që t’i ndërpresë të gjitha aktet e torturës dhe të ndalimit arbitrar, si pjesë e një rasti me të cilin pretendohet se shteti aziatik ka shkelur një traktat të OKB-së kundër torturës.

Seanca në Pallatin e Paqes në Hagë do ta shënojë herën e parë që një gjykatë ndërkombëtare do t’i shqyrtojë pretendimet për abuzimet e kryera gjatë konfliktit 12-vjeçar, raporton agjencia “Reuters”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e njohur edhe si Gjykata Botërore, njoftoi muajin e kaluar se Holanda dhe Kanadaja kishin paraqitur një rast kundër Sirisë për shkeljen e konventës së OKB-së kundër torturës nga viti 2011.

Qeveria siriane dhe presidenti Bashar al-Assad i kanë mohuar akuzat për torturë dhe vrasje jashtëgjyqësore në luftën për të cilën Kombet e Bashkuara kanë thënë se ka shkaktuar qindra mijëra viktima.

Përmes kërkesës për masa urgjente, Kanadaja dhe Holanda kërkuan nga Gjykata që ta urdhërojë Sirinë që t’i ndalë të gjitha aktet e torturës dhe trajtimit mizor si dhe ndalimin arbitrar, mes veprimeve të tjera.

GjND-ja mund të lëshojë urdhra të tillë në përpjekje për t’u siguruar që situata të mos përkeqësohet gjatë disa viteve që zakonisht i nevojiten gjykatës për të marrë vendim për pretendimin kryesor.

Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka fuqi për t’i zbatuar vendimet e saj.

Disa zyrtarë të regjimit sirian janë ndjekur penalisht për akte të torturës në raste të juridiksionit universal, sidomos në Gjermani, por ato raste përqendrohen në përgjegjësi kriminale individuale.

Lajme të ngjashme