Franca e dërgon në Egjipt luftanijen gjigante “Dixmude” me 22 mjekë për fëmijët e Gazës - NACIONALE

Franca e dërgon në Egjipt luftanijen gjigante “Dixmude” me 22 mjekë për fëmijët e Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Helikoptermbajtësja gjigante franceze, “Dixmude”, është ankoruar në Egjpt dhe në të mund të fillohet trajtimi i fëmijëve të plagosur të Gazës nga kjo javë, tha të martën ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu, përderisa fuqitë perëndimore po synojnë që t’i shtojnë përpjekjet për t’i dhënë ndihmë enklavës së përfshirë nga luftimet.

Kjo është anija e parë ushtarake perëndimore që ankorohet në Egjipt që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit e Hamasit dhe u ndal të hënën në Al Arish, vetëm 50 kilometra në perëndim të Gazës. Al Arishi është bërë qendër e ndihmave ndërkombëtare për Gazën, raporton agjencia “Reuters”.

Arritja e kësaj anije vjen në kohën e pauzës së luftimeve mes Izraelit e Hamasit, e cila të hënën u zgjat edhe për dy ditë me qëllim të lirimit të më shumë pengjeve nga Hamasi e të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

"Dixmude ka arritur në Egjipt, rreth 50 kilometra nga Gaza. Është këtu për t'i mbështetur përpjekjet për ta adresuar urgjencën humanitare"- shkroi në rrjetin X presidenti francez, Emmanuel Macron, duke publikuar edhe një fotografi të anijes ushtarake.

“Ne e kemi këtë anije, e cila është shndërruar në spital dhe që arriti dje. Ajo ka 40 shtretër”- tha ministri Lecornu, duke shtuar se shpreson që pranimi i pacientëve të mund të fillojë këtë javë.

Kapacitetet mjekësore të anijes “Dixmude” janë përshtatur për të krijuar një forcë mjekësore ushtarako-civile, sidomos në pediatri. Me dy salla operacionesh e 40 shtretër, në të mund të trajtohen personat me lëndime të lehta para se të dërgohen në spitale.

Parisi ka përgatitur 50 shtretër në Francë, nëse ka nevojë, për fëmijët e lënduar ose të sëmurë rëndë në Gaza. Këtu përfshihen edhe pacientët me kancer.

Pas trajtimit në anijen “Dixmude”, pacientët duhet të vendosen në spitale më të mëdha në Egjipt ose në spitale fushore në Gaza.

Zyrtarët francezë thonë se në anije ndodhen rreth 22 mjekë civilë, përfshirë 16 kirurgë e gjashtë pediatra.

Lajme të ngjashme