Formohet koalicioni, Giorgia Meloni emërohet kryeministrja e parë femër e Italisë
Giorgia Meloni ka formuar koalicionin e ri qeverisës të Italisë, duke i dhënë vendit qeverinë e parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Një zyrtar i pallatit presidencial ka njoftuar se Meloni, do të bëhet gruaja e parë që do të shërbejë si kryeministre e vendit dhe kabineti i saj do të bëjë betimin të shtunën.
“Vëllezërit e Italisë” së Melonit, një parti me rrënjë neofashiste, ishte fituesi kryesor i votave në zgjedhjet kombëtare të Italisë muajin e kaluar.
E pak orë përpara se të shpallej formimi i qeverisë së re, Meloni, 45 vjeç, u tha gazetarëve se ajo dhe aleatët e saj i kishin kërkuar njëzëri presidentit Sergio Mattarella t'i jepte asaj mandatin për të qeverisur.
Meloni ka bashkëthemeluar partinë në dhjetor 2012 dhe gjatë viteve të para është konsideruar si një lëvizje e skajshme në të djathtë.
Italia ashtu edhe si shumica e pjesës tjetër të Evropës, është duke luftuar me kostot në rritje të energjisë dhe dramën e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila mund të shkurtojë furnizimet me gaz këtë dimër dhe të vazhdojë të rrisë faturat e energjisë shtëpiake dhe të biznesit.
E ndërsa Berlusconi dhe Salvini janë admirues të gjatë të presidentit rus, Vladimir Putin, Meloni mbështet me vendosmëri Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus. Mendohet se këto dallime mund të prodhojnë sfida për koalicionin e tyre qeverisës.

