Forcat ukrainase kanë depërtuar në Verbove, thotë komandanti Tarnavsky
Gjenerali që po e udhëheq kundërsulmin e Ukrainës përgjatë frontit jugor, Oleksandr Tarnavsky, thotë se forcat e tij kanë depërtuar në Verbove dhe parashikon që ushtria ukrainase të realizojë një sukses edhe më të madh.
“Në krahun e majtë (afër Verbove-s), kemi një përparim dhe vazhdojmë që të përparojmë më tutje”- i tha Tarnavsky televizionit CNN gjatë një interviste të premten, edhe pse pranoi që trupat e tij ishin duke lëvizur më ngadalë se që pritej.
“Jo aq shpejt sa ishte pritur, jo si në filmat për Luftën e Dytë Botërore. Gjëja kryesore është që të mos e humbim këtë nismë (që e kemi) dhe, pra, të mos humbim në praktikë, me veprime”- tha zyrtari I lartë ushtarak i Ukrainës.
Pretendimi i gjeneralit Tarnavsky është shenja më e re nga zyrtarët ukrainas se po ndërtohen hyrje në frontin jugor gjatë luftës me forcat ruse.
Forcat ukrainase pretenduan në javët e fundit se kishin depërtuar në “vijën e parë” të bastioneve ruse në rajonin Zaporizhia, shenjë që Kievi po i afrohej më shumë rrjetit të gjerë rus të llogoreve të fortifikuara përgjatë frontit jugor.
Megjithatë, zyrtarët e emëruar nga Rusia në Zaporizhian e pushtuar kanë paraqitur një gjendje tjetër të luftimeve. Televizioni CNN nuk ka mundur që t’i vërtetojë raportimet e asnjërës palë për gjendjen në fushën e betejës. Sidoqoftë, analiza e videove në dispozicion lë të kuptohet se disa njësi ukrainase kanë kapërcyer një vijë të rëndësishme të mbrojtjes ruse afër fshatit Verbove.
Qëllimi i Ukrainës në aspekt afatgjatë është që ta thyejë “urën tokësore” të Rusisë, e cila e lidh territorin e pushtuar nga Rusia me Krimenë e aneksuar më 2014.
Në fillim të shtatorit, forcat ukrainase kishin thënë se e kishin marrë nën kontroll fshatin Robotyne dhe se ishin duke lëvizur në lindje, drejt fshatit Novoprokopivka. Ushtarët thanë se prisnin beteja për kontroll të terreneve të larta në jug dhe në lindje të këtij fshati, përderisa i afrohen shtresës tjetër të mbrojtjes ruse. Fshati Verbove ndodhet pak kilometra larg Robotyne-s.
Sidoqoftë, Tarnavsky i tha televizionit CNN se beson që një përparim i madh i kundërsulmit do të ishte nëse Ukraina do ta merrte Tokmak-un, qendër strategjike për Rusinë, që është shënjestra e parë e rëndësishme e saj gjatë luftimeve në jug.
Televizioni CNN raportoi më herët këtë javë se forcat ukrainase ende ndodheshin rreth 20 kilometra larg Tokmak-ut, në vështirësi për të depërtuar në shtresat e shumëfishta të mbrojtjes ruse.

