Zelensky thotë se kundërsulmi nisi më vonë, sepse s’kishte municion të mjaftueshëm
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ukrainase nuk e nisën kundërsulmin më herët në pranverë, edhe pse ashtu ishte plani, për shkak të mungesës së municionit të mjaftueshëm dhe ushtarëve të trajnuar për përdorimin e armatimit të ri.
Duke folur të premten në forumin për siguri, “Aspen”, Zelensky ua la fajin nisjes së kundërsulmit më vonë se që pritej dhe mungesës së municionit për përparimin e ngadalshëm të operacionit, raporton televizioni CNN.
“Ne kishim plane për ta nisur në pranverë, por nuk e nisëm, sepse, sinqerisht, nuk kishim municion të mjaftueshëm dhe armatime dhe jo brigada të trajnuara mjaftueshëm në mënyrën e duhur, dua të them, të trajnuara në mënyrën e duhur për këto armë”- tha presidenti ukrainas.
“Për shkak se filluam pak vonë, mund të thuhet, dhe është e vërteta, e mbështetur nga të gjithë ekspertët, që kjo i ofroi Rusisë kohë për të vendosur mina në tërë tokën tonë dhe për të ndërtuar disa vija të mbrojtjes”- shtoi ai.
“Ata përfundimisht patën pak më shumë kohë se që u nevojitej për shkak të kësaj, ata i ndërtuan të gjitha ato vija dhe, vërtet, ata kishin shumë mina në fushat tona për shkak të ritmit më të ngadalshëm të aksioneve tona të kundërsulmit”- tha më tej Zelensky.
Megjithatë, ai tha se ushtarët ukrainas po shënojnë përparim pavarësisht nga vështirësitë.
“Nuk deshëm që t’i humbnim njerëzit tanë, personelin tonë dhe ushtarët tanë, nuk deshëm që të humbnim pajisje dhe, për shkak të kësaj, ata ishin goxha të kujdesshëm për aksionet tona sulmuese”- shtoi presidenti ukrainas.
“Do të thosha se po i afrohemi një momenti, kur aksionet përkatëse mund të fitojnë ritëm, sepse tashmë jemi duke kaluar nëpër disa vende të minave dhe po i deminojmë këto zona”- tha më tej Zelensky.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha këtë javë se Perëndimi është qartazi i zhgënjyer me rezultatet e kundërsulmit ukrainas.
