Putini thotë se Perëndimi është qartazi i zhgënjyer me kundërsulmin e Ukrainës
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se Perëndimi është i zhgënjyer me rezultatet e kundërsulmit të forcave ukrainase.
“Sot është e qartë që kujdestarët perëndimorë të regjimit të Kievit janë qartazi të zhgënjyer me rezultatet e të ashtuquajturit kundërsulm”- tha presidenti rus gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, raporton televizioni CNN.
“Asgjë nuk ndihmoi – as burimet kolosale që u pompuan në regjimin e Kievit, as furnizimi me armë perëndimore – tanke, artileri , automjete të blinduara, raketa – as dërgimi i mijëra mercenarëve e këshilltarëve të huaj, të cilët u përdorën në mënyrën më aktive në përpjekjet për të depërtuar në frontin e ushtrisë sonë”- shtoi ai.
“Në të njëjtën kohë, e tërë bota sheh se pajisjet e hipnotizuara ushtarake perëndimore, gjoja pajisje të paprekshme, po digjen në vijat e frontit”- tha më tej kreu i Kremlinit.
Nga fillimi i kundërsulmit ukrainas muajin e kaluar, luftimet kanë dalë më të vështira se vlerësimi i disave. Përparimi i forcave ukrainase është matur me qindra metra e jo me dhjetëra kilometra.
Andriy Yermak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve më herët këtë muaj se pranon që kundërsulmi “nuk po ec aq shpejt, është i ngadalshëm”.
