Ukraina thotë se ka hyrë në fshatin strategjik juglindor, Robotyne - NACIONALE

Ukraina thotë se ka hyrë në fshatin strategjik juglindor, Robotyne

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina tha të martën se trupat e saj kishin hyrë në fshatin strategjik juglindor, Robotyne, përparim potencialisht i konsiderueshëm në kundërsulmin e saj kundër forcave ruse.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha në rrjetin “Telegram” se ushtarët ukrainas ishin duke e organizuar evakuimin e civilëve pas hyrjes në Robotyne, por ishin ende duke u sulmuar me zjarr nga forcat ruse, raporton agjencia “Reuters”.

“Ushtarët tanë në fshatin Robotyne”- shkroi komandanti i forcave ukrainase në jug, Gjeneral Oleksandr Tarnavskyi, në rrjetin “Telegram” me një fotografi të një ushtari në tank.

Robotyne ndodhet dhjetë kilometra në jug të qytezës së vijës së frontit, Orikhiv, në rajonin e Zaporizhias, në një rrugë të rëndësishme drejt Tokmakut, qendër e rëndësishme rrugore e hekurudhore, e pushtuar nga rusët.

Kapja e Tokmakut do të ishte arritje e madhe e ukrainasve drejt synimit për të arritur në brigjet e Detit Azov, me qëllim të ndarjes së forcave pushtuese ruse në dy zona.

Instituti për Studimin e Luftës, grup hulumtues amerikan, i ka përshkruar sulmet ukrainase në Robotyne si “domethënëse taktikisht”.

Në një video të publikuar nga ushtria ukrainase, një grua shihet duke puthur një ushtar ukrainas si dhe disa banorë të evakuuar duke biseduar në telefon me të dashurit e tyre.

“Psikologjikisht ishte shumë vështirë (...). Ishim duke pritur shumë gjatë që sot ata erdhën papritmas. As nuk mund të besonim se ishin tanët (...). U jemi shumë mirënjohës djemve tanë” – tha në video një grua 52-vjeçare.

Lajme të ngjashme