Ukraina e çliron nga rusët fshatin Urozhaine - NACIONALE

Ukraina e çliron nga rusët fshatin Urozhaine

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase e kanë rimarrë nën kontroll fshatin Urozhaine nga forcat ruse në juglindje të vendit dhe kanë zënë vend në periferinë e tij, tha të mërkurën zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.

“Urozhaine i çliruar. Mbrojtësit tanë janë të rrënjosur në periferi”- shkroi zyrtarja ukrainase në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia "Reuters".

Fshati që ndodhet në rajonin Donetsk është pjesë e një grumbulli të vendbanimeve të vogla rurale për të cilat Ukraina ka deklaruar se i ka çliruar nga fillimi i qershorit, kur nisi një kundërsulm ndaj forcave ruse, të cilat ende kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit në lindje e në juglindje të vendit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk e konfirmoi humbjen e këtij vendbanimi në një deklaratë në “Telegram”, por tha se artileria dhe aeroplanët luftarakë të saj ishin duke i sulmuar forcat ukrainase në zonën e Urozhaine-s.

Rimarrja e këtij fshati do të ishte shenjë që Ukraina është duke e vazhduar me ngulm kundërsulmin në jug drejt Detit të Azovit, që për qëllim e ka ndarjen e zonave të pushtuara në dy pjesë. Fshati Urozhaine shtrihet vetëm pak më shumë se 90 kilometra larg Detit të Azovit.

Si shenjë e vështirësisë gjatë operacioneve në fushën e betejës, Urozhaine është fshati i parë për të cilin Ukraina thotë se e ka rimarrë që nga 27 korriku, kur njoftoi për rimarrjen e Staromaiorske-s fqinje.

Ukraina ka pranuar se kundërsulmi i saj është duke përparuar më ngadalë se që ka dëshiruar, por se kjo po ndodh për shkak të fushave të minuara nga rusët dhe linjave të përgatitura të mbrojtjes së forcave armike.

Rusia ka nën kontroll gati një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, shumicën e rajonit të Luhanskut dhe pjesë të mëdha të rajoneve Donetsk, Zaporizhia e Kherson.

Lajme të ngjashme