Forcat izraelite vrasin një militant palestinez, thonë se shtiu drejt tyre
Forcat izraelite vranë një militant palestinez gjatë përleshjeve në Bregun e pushtuar Perëndimor të enjten, tha grupi i armatosur “Brigada e Martirëve të Al-Aksas”.
Ushtria izraelite tha se gjatë operimit në qytetin Nablus, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, skenë e bastisjeve të shpeshta ushtarake dhe e përleshjeve fatale gjatë 15 muajve të fundit, një i dyshuar palestinez shtiu në drejtim të trupave të saj, që u kundërpërgjigjën me zjarr, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria tha se “goditjet janë identifikuar”, ndërsa Ministria palestineze e Shëndetësisë konfirmoi se një burrë është vrarë. I vrari është identifikuar si Ameer Khalifa, 24 vjeç.
“Brigada e Martirëve të Al-Aksas”, grup i armatosur, i lidhur me partinë Fatah të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se luftëtari i vrarë ishte anëtar i saj.
Bisedimet e paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara me qëllim të themelimit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor, Gaza e Jerusalem Lindor, dështuan më 2014 dhe nuk shfaqin shenja të rifillimit.
Dhuna është përkeqësuar nga viti i kaluar në Bregun Perëndimor, terror që Izraeli e kapi në luftën e vitit 1967 dhe ku palestinezët kanë vetëqeverisje të kufizuar.
