Fjalimi i parë si monark, Mbreti Charles III zotohet të shërbejë 'me besnikëri, respekt dhe dashuri'
Vetëm një ditë pas vdekjes së nënës së tij Mbretëreshës Elizabeth II dhe ngjitjes së tij në fron, Mbreti Charles III ka mbajtur fjalimin e tij të parë publik si monarku i ri britanik.
Gjatë kohës së tij si trashëgimtar I fronit, Mbreti ka mbajtur fjalime të shumta publike, por fjalimi i sotëm ishte më I rëndësishmi deri më tani – dhe ai e nisi me një homazh për nënën e tij.
I veshur me një kostum të zi dhe një kravatë të zezë, Charles tha se Mbretëresha Elizabeth "bëri sakrifica për detyrën dhe përkushtimin".
"Në jetën e saj të shërbimit, ne pamë atë dashuri të qëndrueshme për traditën së bashku me atë përqafim të patrembur të përparimit që na bën të mëdhenj si kombe," tha Mbreti.
Fjalimi i regjistruar paraprakisht në Buckingham Palace më herët të premten, tregonte Mbretin të ulur pas një tavoline, me një fotografi të nënës së tij të shfaqur dukshëm.
Charles premtoi se do të vazhdonte në gjurmët e saj dhe do t'i shërbente popullit të tij.
"Siç bëri vetë mbretëresha me një përkushtim kaq të palëkundur, edhe unë tani solemnisht zotohem, që gjatë gjithë kohës së mbetur që më jep Zoti, të mbajë parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë”, tha Mbreti.
"Kudo që të jetoni në Mbretërinë e Bashkuar, ose në mbretëritë dhe territoret anembanë botës, dhe çfarëdo që mund të jetë prejardhja ose bindjet tuaja, unë do të përpiqem t'ju shërbej me besnikëri, respekt dhe dashuri, siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime,” shtoi më tej ai.
Charles gjithashtu mori kohë për të folur për familjen e tij, duke thënë se do të mbështetet tek ata ndërsa merr rolin për të cilin kaloi më shumë se 70 vjet duke u përgatitur.
"Unë mbështetem në ndihmën e gruas sime të dashur, Camilla," tha Charles.
Gjatë fjalimit të tij të parë, mbreti bëri gjithashtu një njoftim të rëndësishëm, duke emëruar djalin e tij Ëilliam si Princ i Uellsit, titull që ai mbante para vdekjes së Mbretëreshës të enjten.
"Me Katerinën pranë tij, Princi dhe Princesha jonë e re e Uellsit, unë e di, do të vazhdojnë të frymëzojnë dhe udhëheqin bisedat tona kombëtare, duke ndihmuar në sjelljen e margjinalëve në terrenin qendror ku mund të jepet ndihma jetike," tha Charles.
Ai gjithashtu tha se donte të “shprehte dashurinë për Harry-n dhe Meghan-in ndërsa ata vazhdojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë shtetit”.
Fakti që Mbreti i ri mori kohë për të përmendur djalin e tij të vogël dhe gruan e tij do të shihet si i rëndësishëm, duke pasur parasysh vendimin e tyre për t'u larguar nga rolet e tyre mbretërore në vitin 2020.
Ai e përfundoi fjalimin me një mesazh tjetër për mbretëreshën e ndjerë.
“Mamasë time të dashur, ndërsa fillon udhëtimin tënd të fundit madhështor, dua të them thjesht këtë: Faleminderit”.
“Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj familjes sonë dhe familjes së kombeve që ju ke shërbyer me kaq zell.”


