Fillon eksporti i grurit ukrainas, largohet nga porti i Odesës anija e parë me ngarkesë - NACIONALE

Fillon eksporti i grurit ukrainas, largohet nga porti i Odesës anija e parë me ngarkesë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për të zhbllokuar eksportet bujqësore të vendit dhe për të lehtësuar krizën globale të ushqimit, ditën e hënë nga porti i Odesës është nisur anija e parë më grurë ukrainas.

Sipas Associated Press, anija e ngarkesave që mbante flamurin e Sierra Leone është nisur nga porti e ngarkuar më mbi 26,000 tonë drithë të destinuar për në Liban.

“Anija e parë me grurë që nga agresioni rus është larguar nga porti”, ka deklaruar ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë globalë të grurit, elbit misrit dhe vajit të lulediellit, me rajonin pjellor të Detit të Zi që njihet si shporta e bukës së Evropës. Bllokimi i deritanishëm i anijeve me produkte ushqimore për shkak të luftës, ka nxitur ngritjen e çmimeve në mbarë botën duke kërcënuar edhe me krizë urie e destabilizim politik vendet në zhvillim.

Pas largimit të anijes nga porti, ministri Kubrakov u shpreh me fjalët: “Sot Ukraina së bashku me partnerët e saj nisën një hap për ta parandaluar krizën e urisë në botë”.

Ndërkohë, në Moskë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, e cilësoi hapin si “shumë pozitiv”, duke thënë se do të ndihmojë në testimin e "efikasitetit të mekanizmave që janë rënë dakord gjatë bisedimeve në Stamboll".

Sipas marrëveshjes së arritur, anijet që hyjnë dhe dalin nga portet e Ukrainës do t'i nënshtrohen inspektimit për t'u siguruar që anijet hyrëse nuk mbajnë armë dhe se ato që dalin kanë vetëm drithëra, plehra ose artikuj ushqimorë, e jo ndonjë mall tjetër.

Pritet që anija e nisur nga porti do të ankorohet të martën pasdite në Stamboll, ku do të inspektohet nga ekipe të përbashkëta të zyrtarëve rusë, ukrainas, turq dhe të OKB-së.

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se edhe shumë anije të tjera pritet të nisen përmes korridoreve të sigurta nga portet e Odesës.

Kujtojmë se, Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje në Stamboll me Turqinë dhe OKB-në më 22 korrik, duke i hapur rrugën Ukrainës për të eksportuar 22 milionë tonë drithë dhe produkte të tjera bujqësore, deri tani të ngecura në portet e Detit të Zi për shkak të pushtimit rus të nisur prej më shumë se pesë mujash.

Si pjesë e marrëveshjes, u krijuan korridore të sigurta përmes ujërave të minuara jashtë porteve të Ukrainës.

Lajme të ngjashme