Forcat ruse bombardojnë ndërtesat e banimit në Odessa, disa të plagosur
Forcat ruse kanë bombarduar ndërtesa të banimit në Odessa të Ukrainës, duke i lënë ato në flakë të mëdha.
Në videon e mëposhtme shihen ndërtesat duke u djegur nga një goditje me raketë gjatë natës së 19 korrikut 2022.
Sipas mediave lokale nga këto bombardime kanë mbetur të plagosur të paktën gjashtë persona, mes tyre edhe një fëmijë.
Kujtojmë se, forcat ruse kanë vazhduar bombardimin e qyteteve në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Sulme pati edhe në veri të Sumy, bomba thërrmuese u hodhën në Mykolaiv.
Ukraina tha se trupat ruse u munduan pa sukses që të përparonin drejt qytetit Avdiyivka, në veri të Donetsk-ut, por u zmbrapsën pas luftimeve disaditore, duke pësuar humbje të rënda, me rreth 40 të vdekur.
Ndërsa, komandanti i ushtrisë ukrainase ka thënë se sistemet raketore me rreze të gjatë veprimi, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, po e stabilizojnë situatën përmes sulmeve të konsiderueshme ndaj pikave të komandës së armikut, municionit dhe depove të karburanteve.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, ka urdhëruar gjeneralët rusë që ta bëjnë prioritet shkatërrimin e armëve me rreze të gjatë të artilerisë së Ukrainës pas sulmeve në linjat ruse të furnizimit.
