FBI-ja ia konfiskon telefonat kryetarit të Nju-Jorkut, hetimi lidhet me Qeverinë e Turqisë - NACIONALE

FBI-ja ia konfiskon telefonat kryetarit të Nju-Jorkut, hetimi lidhet me Qeverinë e Turqisë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Byroja Federale e Hetimeve – FBI – e Shteteve të Bashkuara i ka konfiskuar telefona kryetarit të qytetit të Nju-Jorkut, Eric Adams, si pjesë e një eskalimi të qartë të hetimit rreth financimit të fushatës.

Zyrtarët e fushatës së tij thanë se pajisjet elektronike, që besohet se ishin dy iPhone e një iPad, u morën nga agjentët e FBI-së të hënën në mbrëmje, raporton televizioni BBC.

Për këtë bastisje së pari raportoi gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, e cila tha se hetimi përqendrohet në atë nëse zyrtarët e fushatës së kryetarit kishin konspiruar me Qeverinë e Turqisë për të marrë donacione të huaja ilegale.

Vetë Adams, 63 vjeç, mohon se ka bërë ndonjë shkelje. Të premten, Boyd Johnson, avokat i organizatës për fushatën e kryetarit të Nju-Jorkut, tha se Adamsi është kontaktuar nga FBI-ja pas një ngjarjeje.

“[Ai] menjëherë iu bind kërkesës së FBI-së dhe ua ofroi pajisjet elektronike. Kryetari nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon që të bashkëpunojë me hetimin”- shtoi avokati Johnson.

Në një deklaratë, Adams, anëtar i Partisë Demokratike dhe ish-kapiten policie, tha: “Si ish-anëtar i sundimit të ligjit, pres që të gjithë pjesëtarët e stafit tim ta ndjekin ligjin dhe të bashkëpunojnë plotësisht me çfarëdo lloji të hetimit dhe unë do të vazhdoj që ta bëjë saktësisht këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur.”

Hetimi u bë i ditur javën e kaluar pas një bastisjeje herët në mëngjes në shtëpinë e grumbullueses kryesore të fondeve për fushatën e kryetarit të qytetit të famshëm amerikan.

FBI-ja e bastisi banesën e 25-vjeçares Brianna Suggs, lobiste dhe ish-ndihmëse e Adamsit. Thuhet se agjentët kanë konfiskuar dy laptopë, tre telefona iPhone dhe një dosje me mbishkrimin “Eric Adams”.

Sipas një urdhri për bastisje, të cilin e ka parë gazeta “The New York Times”, lihet të kuptohet se prokurorët janë duke hulumtuar nëse zyrtarët e fushatës së Adamsit kanë konspiruar me Qeverinë e Turqisë ose me individë që kanë lidhje me Turqinë në përpjekje për ta shkelur ligjin për financimin e fushatave.

Hetuesit gjithashtu duan të dinë nëse zyrtarët e fushatës së Adamsit i kanë ofruar ndonjë përfitim Turqisë apo këtyre individëve në këmbim të donacioneve.

Sipas ligjeve amerikane, shtetasit e huaj nuk kanë të drejtë që të japin kontribute financiare në fushatat zgjedhore të ShBA-së.

Lajme të ngjashme