Evropa po zihet nga i nxehti, vazhdon përhapja e zjarreve të egra në Francë e Spanjë
Një valë e të nxehtit që ka shpërthyer në Evropë, të hënën është përhapur edhe në Britani si dhe ka nxitur ndezjen e mëtejshme të zjarreve në Francë e Spanjë.
Në të dyja vendet me të prekura nga zjarret deri më tani janë evakuuar mijëra njerëz, ndërsa në Spanjë është raportuar edhe për dy të vdekur.
Kryeministri i Spanjës i ka lidhur zjarret dhe vdekjet e fundit me ngrohjen globale duke thënë se: "Ndryshimet klimatike vrasin".
Ditët e fundit, temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë kapluar pjesë të Evropës, duke shkaktuar zjarre që nga Portugalia e në rajonin e Ballkanit. Disa vende janë duke përjetuar gjithashtu thatësira të gjata.
Në Mbretërinë e Bashkuar moti pritet të jetë aq i rëndë, sa operatorët e trenave kanë paralajmëruar shtrembërim të shinave, ndërsa disa shkolla ngritën pishina për të ndihmuar fëmijët të freskohen.
Edhe parashikuesit francezë kanë paralajmëruar për temperatura rekord, pasi erërat e nxehta po pengojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në jugperëndim të vendit.

"Zjarri po shpërthen," është shprehur Marc Vermeulen, shefi rajonal i shërbimit zjarrfikës në Francë, duke thënë se flakët po dërgojnë prush të ajër që po mundëson përhapjen e mëtejshme.
"Ne po përballemi me rrethana ekstreme dhe të jashtëzakonshme," ka thënë ai.
Që nga nisja e zjarreve autoritetet në vend kanë filluar evakuimin e më shumë qyteteve, duke zhvendosur rreth 11,500 njerëz të tjerë nga zonat në rrezik. Kjo shifër do të çojë numrin e njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i zjarreve me 12 korrik në gati 28,000.
Shkencëtarët e klimës thonë se valët e të nxehtit janë më intensive, më të shpeshta dhe më të gjata për shkak të ndryshimeve klimatike – dhe të shoqëruara me thatësirat e kanë më të vështirë luftimin e tyre. Ata shtojnë se ndryshimi i klimës do të vazhdojë të bëjë motin më ekstrem dhe zjarret do të jenë më të shpeshta e më shkatërruese.
“Ndryshimet klimatike vrasin”, tha të hënën kryeministri spanjoll Pedro Sánchez gjatë një vizite në rajonin e Extremadura, ku zjarrfikësit po luftonin me tre zjarre të mëdha. “Ato vrasin njerëzit, vrasin ekosistemet dhe biodiversitetin tonë, " ka shtuar ai.

Ndërkohë, Teresa Ribera ministre e Spanjës për Tranzicionin Ekologjik, ka paralajmëruar për "perspektiva të tmerrshme edhe për ditët në vijim" - pas më shumë se 10 ditësh me temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Associated Press raporton se, vala e të nxehtit në Spanjë parashikohet të lehtësohet të martën, por pushimi do të jetë i shkurtër pasi temperaturat do të rriten sërish të mërkurën, veçanërisht në rajonin e thatë perëndimor të Extremadurës.
E në Britani, zyrtarët kanë lëshuar paralajmërimin e parë të nxehtësisë ekstreme dhe shërbimi i motit ka parashikuar se temperatura rekord prej 38.7 C e vendosur në vitin 2019, këtë verë mund të thyhej.
Zjarre sporadike janë njoftuar edhe nga rajoni i Ballkanit, që pret të përballet me një nxehtësi të madhe në fund të kësaj jave.

