E jashtëzakonshme: Në Britani kërkohet kujdes që të shmanget vdekja nga vapa
Drejtoresha e Agjencisë Shëndetësore të Britanisë së Madhe, Isabel Oliver, ka thënë se njerëzit duhet të bëjnë hapa të thjeshtë për të qenë të sigurt e për ta zvogëluar numrin e vdekjeve të shkaktuara nga vala e vapës.
Parashikohet që temperatura në disa pjesë të Anglisë të shkojë në 40 gradë javën e ardhshme. Kjo situatë i shtyu autoritetet që ta aktivizojnë alarmin e kuq për nxehtësi të jashtëzakonshme për të hënën dhe të martën e javës së ardhshme.
Profesoresha Oliver tha se vitin e kaluar janë regjistruar mbi 1.600 vdekje, edhe pse temperaturat nuk ishin as afër atyre që pritet të mbizotërojnë javën e ardhshme. Sipas saj, secili njeri mund të preket nga ky mot shumë i nxehtë.
“Është e rëndësishme të dihet që secili mund të preket në këto temperatura jashtëzakonisht të larta, ndonëse, natyrisht, më të ndjeshmit mbeten grupet e personave të moshuar dhe ata me probleme shëndetësore afatgjate”, tha Oliver.
Qeveria britanike tha se do të zhvillojë bisedime në fundjavë, përfshirë takimin e komitetit për emergjenca, Cobra, që pritet të mbahet të shtunën pasdite.