Eskalojnë tensionet rajonale, raportohet se ShBA-ja vrau me dron një udhëheqës militant në Irak
Një sulm ajror ndaj një selie qendrore për përkrahje logjistike të militantëve të përkrahur nga Irani në pjesën qendrore të Bagdadit të enjten la të vrarë një komandant të rangut të lartë, thanë zyrtarët e këtij grupi.
Sulmi i së enjtes vjen në kohën e shtimit të tensioneve rajonale, të nxitura nga lufta Izrael – Hamas, dhe frika se konflikti mund të përhapet në shtetet përreth Izraelit. Ky rast ndodhi edhe në kohën e një përpjekjeje të zyrtarëve irakianë që forcat e koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja të largohen nga vendi, raporton agjencia “Associated Press”.
Forca e Mobilizimit Popullor – koalicion i grupeve militante që formalisht është nën kontrollin e ushtrisë irakiane – njoftoi në një deklaratë se nënkomandanti i operacioneve në Bagdad, Mushtaq Taleb al-Saidi, është vrarë “si rezultat i agresionit brutal amerikan”.
Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ushtria amerikane ka kryer një sulm në Bagdad kundër një udhëheqësi të militantëve irakianë, të cilin e fajësonte për sulmet kundër forcave të ShBA-së në Irak, duke e vrarë atë dhe një person tjetër, raporton gazeta "The Guardian".
Burimet e policisë dhe dëshmitarët thanë se kishin parë një dron duke hedhur të paktën dy raketa në një ndërtesë në lindje të Bagdadit, e cila përdorej nga grupi militant irakian.
“Ne do të hakmerremi dhe do t’i bëjmë amerikanët që të pendohen për kryerjen e këtij agresioni”- citohet të ketë thënë një komandant lokal i militantëve në Irak.
Shtetet e Bashkuara kanë 900 trupa të dislokuara në Siri e 2.500 në Irak, për të cilat pretendon se ndodhen atje për ta parandaluar rishfaqjen e militantëve të ISIS-it.
Tensionet në mbarë rajonin janë duke u rritur. Dhunë ditëve të fundit ka pasur në Gaza, në Bregun e pushtuar Perëndimor, në veri të Izraelit, në Liban, Siri, Iran, Irak e në Detin e Kuq.