Eskalojnë tensionet në kufi, Izraeli ua ndalon punën punëtorëve nga Gaza
Izraeli i mbylli pikëkalimet kufitare me Gazën të mërkurën, duke ua parandaluar mijëra punëtorëve shkuarjen në vendet e tyre të punës në Izrael dhe në Bregun Perëndimor pas disa ditëve të protestave kufitare, me ç’rast një ditë më parë u vra një protestues nga forcat izraelite.
Ky vendim u pamundëson më shumë se 18 mijë palestinezëve që ta kalojnë kufirin për të shkuar në punë, duke e lënë ekonominë e brishtë të territorit të bllokuar pa rreth dy milionë dollarë në ditë, sipas ekonomistëve lokalë.
Protestat e mbështetura nga grupi “Hamas”, që e kontrollin Gazën, janë mbajtur me ditë të tëra kundër problemeve të ndryshme, përfshirë trajtimin e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe vizitat e hebrenjve në kompleksin e xhamisë “Al-Aksa”.
Të martën, një burrë palestinez u qëllua për vdekje nga forcat izraelite gjatë protestave, ndërsa 11 të tjerë u plagosën, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, raporton agjencia "Reuters".
Një zëdhënës i agjencisë “Cogat” të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, që i bashkërendon veprimet me palestinezë, konfirmoi se pikëkalimi “Erez” për në Gaza është mbyllur dhe se ai do të rihapet “në përputhje me vlerësimet e situatës”.
Mbyllja e kufirit, që erdhi pas një ndalimi të shkurtër të eksporteve nga Gaza më herët këtë muaj pas gjetjes së mjeteve shpërthyese në një dërgesë mallrash, do ta shtojë presionin ndaj ekonomisë që tashmë është në vështirësi për shkak të bllokadës së zbatuar nga Izraeli dhe Egjipti.
“Jemi shumë të frikësuar se pikëkalimi nuk do të hapet së shpejti dhe unë kthehem për të jetuar në varfëri e në nevojë”- tha një burrë nga Gaza, baba i pesë fëmijëve, i cili ka fjetur në anën palestineze të pikëkalimit “Erez” që nga e diela në mbrëmje.
Lejet e punës nga Izraeli për 18 mijë punëtorë sjellin shumë të konsiderueshme të parave të gatshme në territorin ku, sipas të dhënave të FMN-së, të ardhurat për kokë banori janë vetëm sa çereku i të ardhurave në Bregun Perëndimor dhe ku papunësia është gati në nivelin prej 50 për qind, sipas Bankës Botërore.
