Erdogan: Është e pamundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi kaq të madhe
Pas zemërimit në rritje për reagimin e shtetit pas tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është përgjigur duke thënë se nuk është e mundur të jesh i përgatitur për fatkeqësi kaq të madhe.
"Nuk është e mundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi kaq të madhe,"- është shprehur Erdogan para gazetarëve.
Ndër të tjera ai ka bërë të ditur se numri i viktimave nga tërmeti tashmë ka kaluar 9 mijë, ndërsa i ka përshkruar njerëzit që janë ankuar se nuk ka forca të sigurisë e ndihmës në disa zona si provokatorë.
"Kjo është një kohë për unitet, solidaritet. Në një periudhë si kjo, nuk mund të merrem me njerëzit që bëjnë fushata negative për interesa politike," – ka shtuar Erdogan.
Gjatë një ndalese në turneun e tij nëpër zonat e fatkeqësisë, presidenti turk ka pranuar se në fillim kishte disa probleme, po është shprehur se “tani situata është nën kontroll”.
Kritikat nga personalitete të opozitës dhe në terren kundër Erdogan janë në rritje. Disa janë duke pretenduar se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e prirur për tërmete gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
