Ekspertët zbulojnë se ndikimi i sulmit izraelit në Gaza ishte i ngjashëm me armët kimike - NACIONALE

Ekspertët zbulojnë se ndikimi i sulmit izraelit në Gaza ishte i ngjashëm me armët kimike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Predhat e qëlluara në magazinën agrokimike krijuan tym toksik që i ka lënë banorët me probleme shëndetësore.

Sipas një raporti ekspertësh që ka analizuar ndikimin e një sulmi ajror izraelit në një magazinë agrokimike gjatë luftës së vitit të kaluar në Gaza, është arritur në përfundim se sulmi ishte si një lloj “përdorimi indirekt i armëve kimike”.

Më 15 maj të vitit të kaluar, predha artilerie ndezëse ishin lëshuar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), duke goditur një magazinë të madhe të Mjeteve Farmaceutike dhe Bujqësore Khudair në veri të Rripit të Gazës. Ky sulm shkaktoi djegien e qindra tonëve pesticideve, plehrave, plastikës dhe najloneve.

Sulmi kishte krijuar një tym toksik që përfshiu një sipërfaqe prej 5.7 km katror, duke i lënë banorët lokalë të luftojnë me probleme shëndetësore - përfshirë dy raportime për abort dhe indikacione për dëmtime mjedisore.

Hetimi i gjerë, i cili përfshinte analizimin e pamjeve nga telefonë celularë, dronë dhe CCTV, dhjetëra intervista me banorë, si dhe analiza nga ekspertët e municioneve dhe dinamikës së lëngjeve, përdori modelimin 3D të magazinës për të përcaktuar rrethanat e sulmit.

Hetimi është botimi i parë nga njësia e hetimit të arkitekturës mjeko-ligjore të OJQ-së palestineze të të drejtave të njeriut Al-Haq, një bashkëpunim me Forensic Architecture - agjenci kërkimore me bazë në Goldsmiths, Universiteti i Londrës, që mbart analiza hapësinore dhe mediatike për OJQ-të dhe në rastet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Nga gjetjet e Al-Haq, ekspertët perëndimorë dolën në përfundim se ndërsa ishin përdorur armë konvencionale në bombardime, “granatimi i magazinës, duke pasur njohuri se aty kishte të ruajtura kimikate toksike, është i barabartë me përdorim të armëve kimike ndërmjet mjeteve indirekte”. Aktë të cilat janë të ndaluara dhe ndiqen penalisht sipas Statutit të Romës të gjykatës penale ndërkombëtare”.

Al-Haq po ashtu tha se sulmi në magazinën Khudair ishte i pari në një seri sulmesh që kishin për synim qëllimisht infrastrukturën ekonomike dhe industriale të Gazës, me dhjetëra fabrika dhe depo të tjera që ishin bombarduar sistematikisht.

Lufta 11-ditore në majin e kaluar midis Izraelit dhe Hamasit – grup militant palestinez, kishte lënë të vrarë 256 persona na Gaza dhe 14 në Izrael.

Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) hapi një hetim për krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga forcat izraelite dhe militantët palestinezë në territorin palestinez. Por, Izraeli kundërshton juridiksionin e GJNP-së.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhanë një deklaratë ku thanë se , “në përgjigje të sulmeve nga Hamasi, Izraeli ka kryer një seri sulmesh ndaj objektivave legjitime ushtarake në Rripin e Gazës" vitin e kaluar gjatë atij që në Izrael njihet si Operacioni Ruajtësi i Mureve.

Luftimet e vitit të kaluar ishin raundi i tretë i konfliktit midis shtetit izraelit dhe Hamasit që kur grupi mori kontrollin e Gazës në vitin 2007, pas së cilës Izraeli dhe Egjipti vendosën një bllokadë ndëshkuese. Që atëherë, infrastruktura e ujit, kanalizimeve dhe elektricitetit të brezit është shembur, duke i lënë 2 milionë banorët e Gazës në luftë me nivelet në rritje të ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit.

Vitin e kaluar, edhe Al-Haq që vepron në Gaza dhe Bregun Perëndimor, është sulmuar nga autoritetet izraelite, OJQ-ja ishte një nga gjashtë organizatat kryesore të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut që punonin në territoret e pushtuara palestineze, dhe ishin përcaktuar si organizata terroriste. Ky përcaktim ishte dënuar gjerësisht nga OKB-ja, qeveritë perëndimore dhe organizata të njohura ndërkombëtare si Amnesty International.

Ndërkohë, kreu i departamentit të monitorimit dhe dokumentacionit të Al-Haq, Rula Shadeed, tha në një deklaratë se: “Pa dokumentacionin tonë profesional të bazuar në standardet ligjore, palestinezët nuk mund të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi.” Ajo shtoi se janë shumë krenarë “që pavarësisht sulmeve të paligjshme dhe kohëve të vështira me të cilat përballet shoqëria civile palestineze, ende mund të vazhdojnë të përparojnë në punën e tyre, për shkak të besimit të fortë në rëndësinë e ekspozimit të shkeljeve kundër popullit dhe për të kërkuar përgjegjësinë nga autorët”.

Lajme të ngjashme