Ekipi i OKB-së planifikon të qëndrojë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s
Kryeinspektori ndërkombëtar bërthamor Rafael Grossi, ka thënë se ai ka parë "gjërat kryesore" në uzinë dhe se ekipi i tij ishte në gjendje të mblidhte "shumë informacion" gjatë një vizite të shumëpritur në centralin e pushtuar nga Rusia në Zaporizhzhia në Ukrainë.
Operatori i uzinës, Energoatom, tha të enjten se Grossi ishte larguar nga vendi pas një vizite që u realizuar me disa orë vonosë për shkak të granatimeve, mirëpo u bë e ditur se pesë përfaqësues të tjerë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do të qëndrojnë në uzinë, ndoshta deri të shtunën.
“Ne kemi arritur diçka shumë të rëndësishme sot dhe gjëja e rëndësishme është që IAEA po qëndron këtu – le ta dijë bota se IAEA po qëndron në Zaporizhzhia”, tha Grossi në një video të publikuar nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
Grossi tha se shpjegimet që i janë dhënë ekipit prej 14 personash gjatë vizitës, e cila zgjati "disa orë", ishin "shumë të qarta". Ai poashtu e vlerësoi “punën e përkushtuar” të stafit të uzinës që “po vazhdonin me profesionalizëm punën e tyre” në “rrethana shumë të vështira”.
Kujtojmë se, uzina është pushtuar nga forcat ruse në muajin mars por vazhdon të jetë e lidhur me rrjetin ukrinas dhe drejtohet nga punonjësit e Energoatom. Por, kjo zonë javët e fundit është vënë vazhdimisht nën zjarr duke shkaktuar frikë nga një fatkeqësi e mundshme rrezatimi.
Për këto bombardime, Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëra-tjetrën, me Ukrainën që pretendon se Rusia po e përdor uzinën si mburojë, duke ruajtur armët atje dhe duke nisur sulme nga zona përreth tij, ndërsa Moska akuzon Ukrainën për gjuajtje të pamatura në zonë.
Komentet e Grossi-t erdhën pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për përpjekje për të sabotuar vizitën e IAEA-s, që synonte kryerjen e "aktiviteteve të domosdoshme të sigurisë dhe mbrojtjes bërthamore".
Grossi më tej ka thënë se inspektimi kishte për qëllim vendosjen e një pranie të përhershme në uzinë, por zyrtarët rusë kishin thënë se inspektorët, që udhëtonin me Land Cruisers të blinduara të bardha me shenja të OKB-së, do të qëndronin vetëm për një ditë.

