Edi Rama u turpërua nga darka me kritikët anti-Albin, takimi pas asaj darke zbulon shumëçka - NACIONALE

Edi Rama u turpërua nga darka me kritikët anti-Albin, takimi pas asaj darke zbulon shumëçka

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Darka me kritikët e Albin Kurtit duket se e ka turpëruar kryeministrin shqiptar Edi Rama, por takimi që ka pasur pas asaj darke zbulon edhe një hierarki të çuditshme të krejt vizitës së tij të 19 qershorit në Kosovë.

Opozitarizmi i përgjumur në Kosovë do të zgjohej në mënyrë të beftë në pikë të ditës së djeshme. Edhe pse ishte e diele. Edhe pse ky zgjim i opozitarizmit kosovar do të vinte nga kryeministri i një shteti tjetër që s’kishte të drejtë ta bënte një gjë të tillë.

Edi Rama e kaloi gjithë ditën e diele të 19 qershorit 2022 si një opozitar i Albin Kurtit në një vizitë që dukej të ishte përgatitur nga Baton Haxhiu, një gazetar kosovar të cilin e mban afër vetes tash e një kohë.

Hierarkia e Batonit

Në vizitat opozitare të Ramës mund të vërehet kollaj dora e Baton Haxhiut - një kundërshtar tjetër i paepur i Albin Kurtit. Batoni i batuar ndoshta nga qëndrimet e tij personale ndaj Kurtit nuk ia doli që t’i jepte një karakter më të fshehtë opozitar vizitës kryeministrore. Por, përveç këtij karakteri opozitar te vizita nëpërduket edhe një hierarkizim i çuditshëm me fshatarë dhe oligarkë (sipas Albin Kurtit), por edhe me disa gazetarë në mes.

FOTO I: Edi Rama mes dy vëllezërve Devolli në fshatin Xerxe

Rama do të vizitonte fillimisht një fabrikë të miellit të quajtur M&Sillosi e ku pronarë ishin as më pak e as më shumë se Devollët e famshëm, pra biznesmenët e sukseshëm që ishin piketuar nga Albin Kurti si oligarkët e Kosovës që po dëmtonin vendin.

Kryeministrit shqiptar do të pritej edhe personalisht nga Shkëlqim e Blerim Devolli, por në këtë pikë, pra pika më e ulët e hierarkisë, theksi kishte rënë te punëtorët e tyre që kishin marrë pak pushim vetëm që të dilnin e të duartrokisnin ecjen kryeministrore. Punëtorët ishin shndërruar në adhurues të Edi Ramës. Ata e admironin jetën dhe të bëmat e tij. E kështu me radhë.

Më pas, Edi Rama u ngjit për në fshatin Burojë ku do të takohej me familjarë të ish presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit ishte kundërshtari më i madh politik i kryeministrit aktual, Albin Kurtit. Rama do të shprehej i afërt e familjar me dhimbjen e tyre duke u shprehur se e kishte vizituar Thaçin së fundi në Hagë sepse “e kishte marrë malli.”

FOTO II: Edi Rama merr flamurin e UÇK-së nga Sami Lushtaku në familjen Thaçi në Burojë, Skënderaj

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Sami Lushtaku e Fadil Nura, dy kryetarët e Skënderajt.

Kjo ishte pika e dytë dhe e pika e fundit me ‘fshatarë’. Kanë mbetur vetëm edhe dy tjera.

Dhe tek tash mbërrijmë në darkën anti-Kurti të Edi Ramës në Soma të Gërmisë e që bëri bashkë disa prej gazetarëve dhe analistëve më të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës: Arben Ahmeti, Ilir Mirena, Valon Syla, Dukagjin Gorani, Ismajl Tasholli, Leonard Kërquki, Arbër Geci etj.

FOTO III: Edi Rama dhe gazetarët në darkën e 'gabuar'

Rama kishte ndarë fotografi e fjalë nga të gjitha aktivitetet e lartpërmendura, por nga darka me gazetarët dhe analistët e lartpërmendur nuk bëri as gëk as mëk. Nuk kishte asnjë fotografi dhe asnjë fjalë. Madje, as pjesëmarrësit nuk postuan asgjë në rrjetet shoqërore të Internetit – ndoshta sepse e kishin të ndaluar nga Edi Rama ose Baton Haxhiu.

FOTO IV: Foto ekrani nga statusi i z. Geci

1.5 milion ndjekësit e Edi Ramës në Facebook mbetën pa parë disa prej figurave më emblematike të medieve në Kosovë. Merreni me mend, Arbër Gecit të ATV-së iu desh të merrte një fotografi nga Nacionalja që ta falenderonte Ramën për darkën.

Ka edhe një “për më keq” për gazetarët e lartpërmendur.

Edi Rama kishte bërë edhe një aktivitet tjetër në fund të mbrëmjes, më ekskluziv e më me rëndësi: ai do të takonte Adriatik Kelmendin (drejtor i Klan Kosovës), Shkëlqim Devollin (natyrisht, pa punëtorë kësaj here), Behgjet Pacollin e Berat Rukiqin në një ambient më të zvogëluar që i zvogëlonte rëndësinë secilit prej pjesëmarrësve të darkës në Gërmi paraprakisht. Enigmatike në këtë mes është mos-prania e Baton Haxhiut, i cili madje edhe ka shërbyer në funksionin e Adriatik Kelmendit si drejtues i Klanit në të kaluarën.

FOTO V: Pasdarka që s'e pamë

Renditjen më së larti të Kelmendit – pjesëmarrjen në takimin më të rëndësishëm opozitar - mund ta ketë mundësuar edhe prestigji i tij i fituar si një fluturues me avionë privatë (private jets) e që mund të jetë kriter i rëndësishëm në botën e batuar të Baton Haxhiut.

FOTO VI: Fotografi nga Adriatik Kelmendi

Kjo ishte pika më e lartë e ditës së 19 qershorit.

*Rama më 20 qershor do të ishte i zënë në pjesën më të madhe të ditës me Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive. Pas saj, ai do të shkonte në promovimin e një libri nga një tjetër opozitar, Enver Hoxhaj nga PDK. Rama s'do të fliste fare as në Konferencë por as në Përurim për darkën në Gërmi.

Lajme të ngjashme