Ecje e joga: Punëtorët e shpëtuar indianë tregojnë se si i kaluan 17 ditë ngujim në tunel
Shpresa se do të shpëtoheshin së shpejti i mbajti shumë prej punëtorëve të ngujuar në tunelin e shembur në Indi mjaftueshëm të fuqishëm gjatë sprovës së tyre, thanë disa prej tyre të mërkurën, disa orë pasi u shpëtuan nga ngujimi 17-ditor.
Të gjithë 41 burrat, punëtorë me të ardhura të ulëta nga disa prej shteteve më të varfra të Indisë, u shpëtuan dhe u dërguan në një spital specialistësh në qytetin Rishikesh pas kalimit të natës në një objekt të improvizuar mjekësor në qytezën e vogël të Himalajeve, raporton agjencia “Reuters”.
Mjekët thanë se të gjithë punëtorët janë në gjendje të mirë, por se ata kanë nevojë për mbështetje afatgjate, përfshirë vëzhgimin e stresit post-traumatik.
Burrat kishin drita në zonën e ngujimit dhe gypat u përdorën për t’i furnizuar ata me oksigjen, ujë, ushqim e ilaçe si dhe për të komunikuar me ta. Punëtorët mund të flisnin edhe me familjet e tyre.
Ata ecnin dhe bënin joga në segmentin 2-kilometërsh të tunelit të autostradës, ku kishin mbetur të ngujuar.
Sidoqoftë, shumë prej tyre thanë se vetëdija se nuk ishin harruar dhe se do të nxirreshin së shpejti vërtet i mbajti me shpresë e të fuqishëm.
“Gjatë ditës së parë ose ashtu diçka, secili brenda ishte shumë i pashpresë dhe i pikëlluar. Nuk dinim nëse ndokush jashtë e dinte që ishim ngujuar”- tha punëtori 39-vjeçar, Birendra Kishku.
“Por kur arritën te ne përmes gypit, morëm vesh se çfarë po bënte qeveria për të na nxjerrë. Unë, familja ime dhe tërë fshati jemi shumë të gëzuar tash”- shtoi ai.
Një punëtor tjetër, Subodh Kumar Verma, gjithashtu tha se ngushëllim e shpresë për të ishte fakti që e dinte se një operacion i madh shpëtimi ishte duke u zhvilluar.
“Jam mirë tani. Kjo është për shkak të lutjeve tuaja dhe punës së madhe të qeverisë që unë arrita të dilja jashtë”- tha ky punëtor.
Kryeministri i Indisë, Narenda Modi, foli me punëtorët e shpëtuar përmes telefonit të martën vonë dhe në një video të bisedës ata i treguan atij për përjetimet në tunel.
“Jetuam si vëllezër. U thosha punëtorëve se po hanim e po pinim, por nuk kishim punë, prandaj ejani të bëjmë joga, të bëjmë ecje të mëngjesit për të qëndruar të shëndetshëm”- i tha Modit punëtori Saba Ahmed.
Sukanti Nayak, nëna e një punëtori të quajtur Raju, tha se biri i saj i thoshte asaj që të mos brengosej.
“Kur fola së pari me të, kur ishte brenda, qava. Djali im më ngushëllonte, duke më thënë që të mos brengosesha e duke më siguruar se ata do të dilnin së shpejti. Po prisnim me padurim që të kthehej në shtëpi”- tha zonja Nayak.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

