Mrekulli: Fillon nxjerrja e punëtorëve të ngujuar në tunelin e Indisë pas 17 ditëve ngujim
Ekipet e shpëtimit në Indi kanë shpëtuar të paktën katër nga 41 punëtorët e ngujuar në tunelin në Uttarakhand të Indisë, tha të martën inxhinieri ekzekutiv i qeverisë rajonale.
Këta punëtorë kanë mbetur të ngujuar nga 12 nëntori, kur një pjesë e tunelit në të cilin po punonin për t a ndërtuar u shemb, duke ua bllokuar daljen e vetme me më shumë se 60 metra gurë, beton e metale, raporton televizioni CNN.
Arritja e mrekullueshme vjen pas një vargu dështimesh. Përpjekjet e shpëtimit ishin ndalur për shkak të prishjes së pajisjeve për gërmim, duke i detyruar punëtorët që t’i largonin gurët e dheun pjesërisht me dorë dhe që të zbatonin metoda të tjera më të rrezikshme në përpjekje për të arritur deri te punëtorët e bllokuar.
“Puna për shtrirjen e gypave në tunel për t’i nxjerrë punëtorët është përfunduar. Së shpejti, të gjithë vëllezërit e punës do të nxirren”- shkroi në rrjetin X kryeministri rajonal, Pushkar Sing Dhami.
Zyrtari për informim, Kirti Panwar, u shpreh optimist se punëtorët do të ribashkohen së shpejti me familjet e tyre. “Jemi në fund të tërë kësaj”- tha ai.
Indrajeet Kumar, dy vëllezërit e të cilit janë në mesin e personave të ngujuar, tha se familjet ishin duke qëndruar e duke pritur për daljen e të dashurve të tyre.
“Nuk kanë dalë ende, por na është thënë që të jemi gati për t’i shoqëruar së shpejti për ndihmë mjekësore”- tha ai.
Të gjithë punëtorët – të gjithë të ardhur nga disa prej rajoneve më të varfra të Indisë – janë furnizuar me ushqim, ujë e oksigjen përmes një gypi 53 metra të gjatë, që ishte futur deri në tunel. Autoritetet thonë se punëtorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
