Dy të plagosur nga sulmi me thikë në një qendër tregtare në Izrael, njëri në gjendje serioze - NACIONALE

Dy të plagosur nga sulmi me thikë në një qendër tregtare në Izrael, njëri në gjendje serioze

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy persona u plagosën nga një sulm me thikë në një qendër tregtare në Izrael të mërkurën, tha policia e këtij vendi.

Policia e cilësoi rastin si sulm të dyshimtë terrorist dhe tha se sulmuesi u vra. Qendra tregtare ku ndodhi sulmi është në Karmiel, në veri të Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.

Mjekët izraelitë thanë se ishin duke trajtuar dy burra në të njëzetat, njëri në gjendje shumë serioze, ndërsa tjetri me vetëdije të plotë.

Në videon nga skena, që u shpërnda në rrjete sociale dhe u pa nga agjencia “Reuters”, shihen dy burra të shtrirë dhe pa lëvizur në dyshemenë e qendrës tregtare, ndërsa njerëz të tjerë po mundoheshin t’u jepnin ndihmë urgjente mjekësore.

Së paku njëri nga burrat që po merrte trajtim kishte veshur një uniformë të gjelbër, shihet në video. Një burrë i tretë, pa uniformë, ishte i shtrirë dhe nuk po lëvizte pak më larg. Askush nuk po i ofronte ndihmë atij.

Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Në janar, nga një sulm palestinez me veturë në pjesën qendrore të Izraelit u vra një grua dhe u plagosën 12 persona të tjerë./Nacionale

Lajme të ngjashme