“Dorëzohet” Kina: pas protestave, lehtësohen masat kufizuese në disa distrikte - NACIONALE

“Dorëzohet” Kina: pas protestave, lehtësohen masat kufizuese në disa distrikte

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet lokale në qytetin kinez, Guangzhou, i kanë lehtësuar papritmas masat kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit në vendbanimin ku protestuesit u përleshën me policinë të martën në mbrëmje. Sidoqoftë, policia po kërkon protestues në qytete të tjera dhe organi më i lartë i sigurisë ka bërë thirrje për shtypje të “forcave armiqësore”.

Disa ditë pas protestave të jashtëzakonshme në Kinë, që kanë nxitur edhe protesta në shtete të tjera si shenjë solidarizimi, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja u bënë thirrje autoriteteve kineze që të mos i lëndojnë ose frikësojnë protestuesit që janë kundër izolimit.

Të mërkurën pasdite, autoritetet papritmas njoftuan heqje të masave kufizuese në rreth gjysmën e distrikteve të qytetit Guangzhou. Në njoftime zyrtare thuhet se zyrtarët lokalë në mënyrë të ndryshme t’i heqin “urdhrat e përkohshëm të kontrollit” dhe t’i emërojnë zonat si vende me rrezik të ulët për përhapjen e virusit. Është marrë vendim edhe për përfundimin e testimit masiv për Covid-19.

Një banor i tha gazetës “The Guardian” se brenda një ore pas njoftimit, i ka parë stafin e sigurisë së banesave duke u larguar shpejt dhe fqinjët duke u ngutur me valixhe “për të ikur”.

Lehtësimi i masave kufizuese, që u bë pavarësisht nga rritja e numrit të rasteve, nuk vlen për të gjitha distriktet. Disa zona, përfshirë disa pjesë të Haizhu-s, ku protestuesit u përleshën me policinë të martën në mbrëmje, sipas pamjeve dhe dëshmitarëve, mbeten nën kufizime.

Në këtë qytet u regjistruan gati shtatë mijë raste me Covid-19 të martën. Në Haizhu ka pasur disa protesta e përleshje me policinë në muajin e fundit dhe aty u mbajtën protestat e fundit në valën e mosbindjes civile, e cila eskaloi në mënyrë dramatike të premten.

Të hënën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për protestuesit paqësorë. “Ne nuk duam që t’i shohim protestuesit të lënduar fizikisht, të frikësuar ose të detyruar në çfarëdo mënyre”- tha ai.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha të martën se secili në Kinë duhet të lejohet të protestojnë dhe ta gëzojë lirinë e të shprehurit dhe se kanadezët janë duke i shikuar për së afërmi protestat kundër politikës zero Covid.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Kinës tha se të drejtat dhe liritë duhet të ushtrohen brenda kornizës së ligjit./Nacionale

Lajme të ngjashme