Qetësohen protestat në Kinë, policia ndërmerr masa të ashpra
Protestat kundër kufizimeve për ta luftuar koronavirusin në Kinë, të cilat shpërthyen në fundjavë, duket se janë dobësuar përderisa autoritetet po i shtypin ato.
Në disa qytete është raportuar për prani të madhe të policisë dhe disa tubime janë shtypur ose kanë dështuar. Kanë filluar të dalin raportime se njerëzit po merren në pyetje dhe po u kontrollohen telefonat, shkruan televizioni BBC.
Sidoqoftë, kinezët që jetojnë jashtë Kinës i kanë vazhduar protestat në të paktën dhjetë qytete në pjesë të ndryshme të botës.
Protestat e fundjavës së kaluar u përhapën pas shpërthimit të një zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin Urumqi të Kinës perëndimore, ku të enjten vdiqën dhjetë persona.
Shumë njerëz besojnë se banorët nuk mund të iknin nga zjarri për shkak të masave kufizuese kundër pandemisë së koronavirusit, por autoritetet lokale e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.
Si rezultat i këtyre dyshimeve, mijëra njerëz dolën disa ditë rrugëve, duke kërkuar shfuqizim të masave kufizuese. Disa madje kanë bërë thirrje të rralla që presidenti Xi Jinping të japë dorëheqje.
Megjithatë, protestat e planifikuara në Pekin për të hënën nuk u mbajtën, pasi policët e rrethuan pikën ku do të mblidheshin protestuesit. Në Shangai, pengesa të larta u vendosën përgjatë rrugës kryesore të protestës dhe policia arrestoi disa persona.
Të martën në mëngjes, policia u pa në të dyja këto qytete duke patrulluar në vendet ku në disa grupe në rrjete sociale thuhej se njerëzit mund të grumbulloheshin përsëri.
Një protestë e vogël në qytetin jugor, Hangzhou, të hënën në mbrëmje gjithashtu u ndërpre shpejt dhe policia arrestoi pa ngurrim disa njerëz, sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale e të vërtetuara nga BBC-ja.
Sidoqoftë, në Hong Kong, dhjetëra protestues u mblodhën në qendrën e qytetit dhe në kampusin e Universitetit Kinez të Hong Kongut si shenjë solidarizimi me protestat në pjesën kryesore të Kinës.
Shumë njerëz gjithashtu u mblodhën para ambasadave kineze në qytete të mëdha të botës, si në Londër, Paris e Tokio si dhe në universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Kontrolli i autoriteteve ndaj protestuesve është ashpërsuar. Një grua i tha agjencisë AFP se ajo dhe pesë të tjerë, që morën pjesë në një protestë në Pekin, kanë marrë telefonata nga policia, e cila kërkoi që ta dinte vendndodhjen e tyre.
Në një rast, një polic e vizitoi shtëpinë e shoqes së saj, pasi ajo nuk ishte përgjigjur në telefon, dhe pyeti nëse ato e kishin vizituar vendin e protestës, duke theksuar se ajo ishte “tubim ilegal”.

