Dorëhiqet presidentja e Hungarisë, pas faljes së një burri të lidhur me abuzime fëmijësh
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka dhënë dorëheqje, pas rritjes së zemërimit publik për vendimin e saj që të falë një burrë të dënuar për bashkëpunim në abuzime seksuale të fëmijëve.
Novak, një figurë në rritje e sipër në partinë në pushtet, Fidesz, është kthyer prej një vizite në Doha, më 10 shkurt, për të lajmëruar publikun se po largohet prej pozitës.
“Falja e një personi i ka shqetësuar shumë njerëz. Kam bërë gabim”, ka thënë ajo përmes një adresimi publik televiziv.
Novak, 46-vjeçare, është zgjedhur si presidente prej parlamentit, më 2022.
Pozita e presidentit është ceremoniale në Hungari.
Ajo është gruaja e parë dhe personi më i ri që është zgjedhur ndonjëherë në këtë pozitë në Hungari.
Ajo ka shërbyer më parë si ministre për Familjet. /REL