“Do ta shohim”: Trumpi kërcënon me rimarrje të Kanalit të Panamasë, përplaset me homologun - NACIONALE

“Do ta shohim”: Trumpi kërcënon me rimarrje të Kanalit të Panamasë, përplaset me homologun

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën kërcënoi me rikthimin e kontrollit të ShBA-së në Kanalin e Panamasë, duke e akuzuar Panamanë për zbatim të taksave të tepërta për të kaluar nëpër rrugën e rëndësishme ujore. Republikani e nxiti reagimin e ashpër të homologut Jose Raul Mulino.

Duke folur para një grumbulli të përkrahësve në Arizona, Trumpi gjithashtu tha se nuk do të lejojë që Kanali i Panamasë të bjerë në “duar të gabuara”, duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez në kanalin ujor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas organizimit në Arizona, amerikani publikoi në rrjetin “Truth Social” një flamur të ShBA-së duke u valëvitur mbi një rrugë ujore, me komentin: “Mirë se vini në Kanalin e Shteteve të Bashkuara!”

“A ka dëgjuar ndokush për Kanalin e Panamasë? – tha Trumpi në organizimin vjetor “AmericaFest”. “Sepse po rrjepemi [financiarisht] në Kanalin e Panamasë, siç po rrjepemi kudo tjetër” – shtoi presidenti i zgjedhur amerikan.

Komentet e Trumpit ishin shembull shumë i rrallë kur një udhëheqës amerikan thotë se mund të shtyjë një shtet sovran që të dorëzojë territor. Ato gjithashtu nënvizuan një ndryshim të pritur në diplomacinë e ShBA-së nën udhëheqjen e Trumpit, i cili historikisht nuk ka hequr dorë nga kërcënimet ndaj aleatëve dhe përdorimi i retorikës konfliktuoze, kur është marrë me homologët.

“Ai [kanali] iu dha Panamasë dhe popullit të Panamasë, por kjo ka dispozita” – tha Trumpi për kanalin që dikur ishte në pronësi të Shteteve të Bashkuara, por iu dha Panamasë para disa dekadave.

“Nëse parimet, edhe morale, edhe ligjore, të këtij gjesti shpirtmadh të dhurimit nuk ndiqen, atëherë ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë të na rikthehet, plotësisht, shpejt dhe pa mëdyshje” – paralajmëroi politikani që i fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndaj komenteve të tij reagoi presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino. Në një video-mesazh të publikuar të dielën pasdite, Mulino tha se pavarësia e Panamasë është e panegociueshme dhe se Kina nuk ka ndikim në administrimin e Kanalit. Ai gjithashtu i mbrojti taksat që zbatohen në kanal, duke thënë se ato nuk janë përcaktuar “sipas qejfit”.

“Çdo metër katror i Kanalit të Panamasë dhe zonës përreth saj i përket Panamasë dhe do të vazhdojë t’i përkasë” – thuhet në një deklaratë të Mulinos në rrjetin X.

Trumpi më pas iu kundërpërgjigj kësaj deklarate, duke shkruar në rrjetin “Truth Social”: “Për këtë do të shohim.”

Kina nuk e kontrollon Kanalin e Panamasë, por një filial i kompanisë me bazë në Hong-Kong, “CK Hutchison Holdings”, për një kohë të gjatë i ka menaxhuar dy portet që ndodhen në hyrjen e Kanalit në Karaibe dhe në Paqësor./Nacionale

Lajme të ngjashme