Djali i Bidenit deklarohet fajtor për shmangie të taksave milionëshe
Hunter Biden, djali i presidentit amerikan, Joe Biden, është deklaruar fajtor për të gjitha nëntë akuzat në rastin federal për shmangie të taksave, duke i zënë prokurorët në befasi, pasi po përgatiteshin që ta fillonin gjykimin kundër tij.
Biri i kreut të Shtëpisë së Bardhë në të kaluarën i kishte mohuar akuzat se qëllimisht e kishte shmangur pagimin e 1,4 milion dollarëve si taksë në të hyra nga viti 2016 deri më 2019, raporton televizioni BBC.
Fillimisht, 54-vjeçari kishte thënë se donte të hynte në një marrëveshje me prokurorët, ku do t’i pranonte akuzat por nuk do të hiqte dorë nga pafajësia, por në fund thjesht u pajtua që të deklarohej fajtor, pasi prokurorët ishin ankuar.
Para tre muajve, ai u shpall fajtor në një rast tjetër të akuzave të lidhura me posedim arme dhe përdorim droge, duke u bërë i biri i parë i një presidenti aktual amerikan që dënohet penalisht.
Ndryshimi i minutës së fundit në rastin për shmangie të taksave u njoftua në një gjykatë në Los Angeles të enjten, përderisa përzgjedhja e trupit gjykues ishte afër fillimit.
Më shumë se 100 gjykatës ishin mbledhur për ta filluar procesin e përzgjedhjes së trupit gjykues.
Avokati i djalit të Bidenit, Abbe Lowell, tha se klienti i tij dëshiroi që ta shmangte gjykimin “për hir të interesave private”, duke i kursyer familjen dhe miqtë nga dhënia e dëshmive për diçka që ka ndodhur “kur ai ishte i varur nga drogat”.
Gjykatësi Mark Scarsi tha se me pranimin e fajësisë, Hunter Bideni ballafaqohet me më së shumti 17 vite burgim dhe gjoba prej 500 mijë deri në 1 milion dollarë.
Dënimi ndaj Hunter Bidenit pritet të shqiptohet më 16 dhjetor, më shumë se një muaj pas zgjedhjeve në ShBA dhe një muaj para se babai i tij të largohet nga pushteti./Nacionale