Dita 243 e luftës Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më të rëndësishme
Sondazhe të fundit kanë treguar se shumica dërrmuese e ukrainasëve mendojnë se vendi duhet të vazhdojë rezistencën e armatosur ndaj forcave pushtuese, ndërkohë që forcat ruse janë duke bërë përgatitje për mbrojtje të qytetit Kherson.
Këto dhe zhvillime të tjera që shënuan ditën 243 të luftës Rusi-Ukrainë, i sjellim në vazhdim të përmbledhura shkurtimisht.
- Të gjithë burrat që kanë mbetur në Kherson, pas një evakuimi masiv, janë ftuar t’i bashkohen një milicie lokale të sapoformuar. Në një njoftim në Telegram, autoritetet pushtuese kanë thënë se burrat kishin "mundësinë" për t'u bashkuar me njësitë e mbrojtjes territoriale nëse zgjidhnin të qëndronin në Kherson.
- Kreu i drejtorisë së inteligjencës së mbrojtjes të Ukrainës tha se Rusia po sjell njësi të reja ushtarake në Kherson ndërsa përgatitet të mbrojë qytetin përballë kundërsulmit ukrainas.
- Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, u ka thënë homologëve perëndimorë se lufta në Ukrainë po shkon drejt një "përshkallëzimi të pakontrolluar" mes provave se Kremlini po mendon se si t'i përgjigjet një tjetër disfate të parashikuar në fushën e betejës rreth qytetit kyç jugor të Khersonit.
- Kombet e Bashkuara kanë thënë se nevojiten hapa urgjent për të lehtësuar ngarkesën e më shumë se 150 anijeve të përfshira në një marrëveshje që lejon Ukrainën të eksportojë grurë nga portet në Detin e Zi.
- Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kanë asnjë indikacion se Rusia ka marrë ndonjë vendim për të përdorur një armë bërthamore, armë biologjike ose kimike.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka kërkuar kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, që të dërgojë ekspertë në objektet bërthamore të Ukrainës për të hedhur poshtë pretendimet ruse se Ukraina planifikon të përdorë një "bombë të pistë".
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai foli me sekretarin amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologun e tij britanik Ben Wallace rreth pretendimit pa prova të Rusisë se Ukraina planifikon të përdorë një "bombë të pistë".
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Izraelit që t'i bashkohet luftës kundër Rusisë dhe ka përsëritur një apel për sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore. Izraeli e ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe e ka kufizuar ndihmën e tij për Ukrainën, vetëm në dërgimin e ndihmave humanitare dhe pajisjeve mbrojtëse.
- Rindërtimi i Ukrainës do të jetë një “detyrë për një brez” që asnjë vend, donator apo institucion ndërkombëtar nuk mund ta menaxhojë i vetëm, ka thënë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
- Sipas një sondazhi të ri, një shumicë dërrmuese e ukrainasve besojnë se vendi duhet të vazhdojë rezistencën e armatosur ndaj pushtimit të Rusisë.
- Një prezantues televiziv pro-Kremlinit është akuzuar për nxitje të gjenocidit pasi bëri thirrje që fëmijët ukrainas të "mbyten" dhe "të digjen" të gjallë gjatë një interviste në kanalin RT të financuar nga shteti.

