Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së e miraton projektligjin për sanksione ndaj GjNP-së - NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së e miraton projektligjin për sanksione ndaj GjNP-së

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Republikane në opozitë, ka miratuar legjislacion me të cilin do t’i vendoseshin sanksione Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) për shkak të vendimit të prokurorit të saj për ta kërkuar lëshimin e urdhërarresteve për zyrtarë të lartë izraelitë për shkak të luftës në Gaza.

Projektligji u mbështet nga 247 kongresistë, ndërsa 155 votuan kundër tij. 42 anëtarë demokratë iu bashkuan republikanëve për ta mbështetur masën. Asnjë republikan nuk votoi kundër legjislacionit, edhe pse dy votuan vetëm si “të pranishëm”, raporton agjencia “Reuters”.

Masa nuk pritet që të bëhet ligj, por e pasqyron përkrahjen e vazhdueshme për Izraelin në Kongres në mesin e kritikave ndërkombëtare rreth fushatës ushtarake të këtij shteti në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar e kritikoi vendimin e GjNP-së për të kërkuar urdhërarreste kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, bashkë me disa udhëheqës të Hamasit.

Projektligji nuk pritet që të hidhet në votim në Senat, ku Partia Demokratike e Bidenit gëzon një shumicë të ngushtë.

Me këtë legjislacion do t’u vendoseshin sanksione personave të përfshirë në ndjekjet penale të kësaj gjykate ndaj amerikanëve ose shtetasve të aleatëve të ShBA-së që nuk janë anëtarë të GjNP-së, përfshirë Izraelin.

Nëse projektligji do të bëhej ligj, do t’u ndalohej edhe hyrja zyrtarëve të tillë të GjNP-së në ShBA, do t’u pezulloheshin të gjitha vizat dhe do t’u vendoseshin kufizime rreth transaksioneve të pronave në Shtetet e Bashkuara.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, tha muajin e kaluar se ai kishte bazë të arsyeshme për të besuar se kryeministri Netanyahu, ministri Gallant dhe tre udhëheqës të Hamasit “bartin përgjegjësi penale” për krime të dyshuara të luftës dhe krime të dyshuara kundër njerëzimit.

Në anën tjetër, Netanyahu ka thënë se vendimi i prokurorit Khan është absurd dhe se qëllimi i kësaj mase është që të vihet në shënjestër tërë Izraeli./Nacionale

Lajme të ngjashme