Dhjetë dënime me burgim të përjetshëm sulmuesit të metros së Nju-Jorkut
Frank James do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg, pasi të enjten iu shqiptuan dhjetë dënime me burgim të përjetshëm në gjykatën federale të Brooklynit, nga një dënim për secilin prej dhjetë të plagosurve në sulmin me armë në prill të vitit të kaluar në një tren nëntokësor.
“Vetëm unë jam përgjegjës për atë sulm. Ata në asnjë mënyrë nuk merituan që ta kishin atë që u ka ndodhur”- tha autori i sulmit.
Në mëngjesin e 12 prillit të vitit 2022, James hodhi një bombol tymi dhe hapi zjarr në një tren në Brooklyn. Dhjetë persona ishin plagosur drejtpërdrejt nga zjarri i armës, ndërsa më shumë se dhjetë të tjerë kishin pësuar lëndime të tjera gjatë incidentit. Asnjë person nuk ishte vrarë.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin.
Në një konferencë për gazetarë pas seancës së gjykatës, prokurori i Distriktit Lindor të Nju-Jorkut, Breon Peace, tha: “Sot është vendosur drejtësia.”
Pas të shtënave, thuhet se James kishte blerë një telefon që e kishte përdorur për t’i përcjellë lajmet rreth sulmit të tij përderisa po fshihej nga forcat e sigurisë. Prokurorët thanë se James kishte shikuar 31 video rreth sulmit të tij në trenin nëntokësor.
Sipas prokurorëve, James kishte shikuar edhe një skenë të ndjekjes së James Bondit nga filmi “No Time to Die” dhjetë herë pas sulmit.
James ishte dorëzuar përmes një telefonate më 13 prill 2022, një ditë pas të shtënave. Ai ishte deklaruar fajtor për të gjitha 11 pikat e aktakuzës, ku përfshihen dhjetë akuza për kryerje të një sulmi terrorist ose llojeve të tjera të dhunës kundër një automjeti të transportit masiv.
