90 burgime të përjetshme vrasësit të 23 personave në Teksas, mund të dënohet edhe me vdekje
Një sulmues, që vrau 23 persona gjatë një sulmi racist në një qendër tregtare në Teksas të ShBA-së më 2019, u dënua të premten më 90 dënime me burgim të përjetshëm, por mund të ngarkohet edhe më shumë, përfshirë dënimin me vdekje.
Patrick Crusius, 24 vjeç, u deklarua fajtor më herët këtë vit për rreth 50 akuza për krim të urrejtjes gjatë sulmit masiv të vitit 2019 në El Paso, duke e bërë atë njërin prej rasteve më të mëdha të krimit të urrejtjes që është trajtuar nga autoritetet federale.
Policia ka thënë se i dënuari kishte udhëtuar me veturë për më shumë se 1.100 kilometra nga shtëpia e tij afër Dallasit për t’i sulmuar njerëzit me prejardhje nga Amerika Latine me pushkë “Kallashnikov” brenda dhe jashtë një dyqani të kompanisë “Walmart”, raporton gazeta “The Guardian”.
Disa çaste para se ta niste sulmin, sulmuesi kishte publikuar një shkrim të gjatë racist në internet, ku paralajmëronte për “pushtimin” e Teksasit nga njerëzit me prejardhje nga shtetet spanjishtfolëse.
Crusiusi u deklarua fajtor në shkurt, pasi prokurorët federalë e kishin hequr nga tavolina kërkesën për dënim me vdekje. Megjithatë, prokurorët e Teksasit kanë thënë se do të mundohen që të dënuarin ta ngarkojnë me dënimin me vdekje, kur ai të dalë në gjyq në një gjykatë shtetërore. Ende nuk është caktuar data për këtë gjyq.
Dënimi nga gjykatësi David Guaderrama në El Paso erdhi pas deklaratave nga të afërmit e viktimave, përfshirë disa shtetas të Meksikës. Përpos të vdekurve, më shumë se 20 persona ishin plagosur dhe shumë të tjerë kishin pësuar trauma të rënda, kur ishin fshehur ose kishin ikur nga vendi i sulmit.
Bashkëshorti 34-vjeçar i zonjës Bertha Benavides, Arturo, ishte në mesin e të vrarëve. “Ti le fëmijë pa prindër, le burra e gra pa bashkëshortë dhe ne ende kemi nevojë për ta”- i tha ajo sulmuesit.
