Burgim të përjetshëm adoleshentit amerikan që e rrahu për vdekje mësuesen me shkop bejsbolli
Njëri nga dy adoleshentët që janë deklaruar fajtorë për rrahjen për vdekje të mësueses së tyre të gjuhës spanjolle në shkollë të mesme me një shkop bejsbolli u dënua të enjten me burgim të përjetshëm me mundësin që dënimi t’i zbutet pas vuajtjes së 35 viteve burgim.
Një gjykatës e dënoi adoleshentin Willar Miller pas një seance dëgjimore që zgjati më shumë se shtatë orë, raporton agjencia “Associated Press”.
Miller dhe adoleshenti tjetër, Jeremy Goodale, u deklaruan fajtorë në prill për sulmin e kryer në vitin 2021 ndaj mësueses Nohema Graber. Mësuesja 66-vjeçare ishte rrahur në mënyrë fatale gjatë ecjes së saj të rregullt pasdite në një park në Fairfield.
Gjatë shpalljes së dënimit për adoleshentin, gjykatësi Shawn Showers e pati parasysh moshën e re të të akuzuarit, por gjithashtu theksoi se ai “e ka shkurtuar jetën e çmuar të Nohema Graber-it”, duke i shkatërruar familjen e saj dhe komunitetin.
“Konstatoj se qëllimi dhe veprimet tua ishin ogurzeza e të liga. Ato akte rezultuan në humbjen e qëllimshme të jetës njerëzore në një mënyrë brutale. Nuk ka justifikim”- tha gjykatësi.
Para shpalljes së dënimit, adoleshenti tha në gjykatë të enjten se e pranonte përgjegjësinë për vrasjen dhe i kërkoi falje familjes Graber.
“Do të doja që të kërkoj falje për veprimet e mija, në rend të parë familjes. Më vjen sinqerisht keq për ankthin që jua kam shkaktuar dhe për shkatërrimin që ia kam shkaktuar familjes suaj”- tha ai.
Adoleshenti Miller u kërkoi falje edhe komunitetit të qytezës Fairfield, familjes së tij, familjes së të akuzuarit tjetër dhe policisë.
“Po e kuptoj thjesht lartësinë e veprimeve të mia dhe e di që është gabim dhe e dija që ishte gabim dhe prapë e bëra. Prapëseprapë e bëra atë që e bëra dhe e pranoj përgjegjësinë për këtë”- shtoi ai.
I akuzuari tjetër, Goodale, ka deklaruar më parë se ai dhe Miller-i e kishin planifikuar vrasjen e mësueses për rreth dy javë dhe se së bashku e kishin goditur viktimën dhe ia kishin fshehur trupin. Goodale ka thënë se Miller-i e kishte nisur planin. Miller-i kishte pranuar se kishte dhënë ndihmë, por kishte mohuar se e kishte goditur mësuesen.
