Deputeti i Ukrainës bën thirrje që të njihet Kosova - NACIONALE

Deputeti i Ukrainës bën thirrje që të njihet Kosova

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka bërë thirrje që vendi i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai madje ka dorëzuar një rezolutë në parlamentin ukrainas për këtë qëllim.

“Dorëzova në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlera perëndimore dhe do ta përkrahë demokracinë kudo në botë. Shpresoj që Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që është e mundshme”, shkroi deputeti ukrainas në llogarinë e tij në “Twitter”.

Ndërkohë në rrjetin tjetër social, “Facebook”, Goncharenko dha argumente se pse Ukraina duhet ta njohë Kosovën, duke e përmendur edhe vendimin e GjND-së të vitit 2010.

“Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pranoi se deklarata e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e ligjit ndërkombëtar, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar”, shkroi ai.

Deputeti ukrainas gjithashtu e përmendi faktin se 22 nga 27 shtete të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përpos tyre, ai i përmendi edhe Shtetet e Bashkuara, Kanadanë e Britaninë e Madhe, shtete që e kanë përkrahur shumë Ukrainën gjatë luftës kundër Rusisë.

“Prandaj, një hap i pajtueshëm i Ukrainës tash do të jetë njohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe shprehja e përkrahjes ndërkombëtare”, shkroi ai.

Ai tha se duhet të refuzohet një lloj manipulimi, sepse pseudorepublikat e Luhanskut dhe Donetskut nuk janë situatë e njëjtë si rasti mes Kosovës e Serbisë.

“Ky është momenti, kur Kosova vërtet e ka të drejtën për pavarësi. Shpresoj që kolegët në Këshill do të ofrojnë përkrahje dhe që rezoluta do të shqyrtohet sa më shpejt që është e mundshme”, tha deputeti Goncharenko.

Në një postim tjetër, të publikuar disa minuta pas postimit paraprak, ai e publikoi hartën botërore të shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe pyeti: “Për të gjithë kritikuesit, kjo është harta e shteteve që e kanë njohur Kosovën. A ju kujton ndonjë gjë kjo? Dhe me kë duam të jemi ne? Me të gjelbrat apo me të hirtat?”

Në hartë, shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, janë paraqitur me ngjyrë të gjelbër, ndërsa shtetet që nuk e kanë njohur vendin tonë, janë paraqitur me ngjyrë të hirtë./Nacionale

Lajme të ngjashme