Demokratët në Michigan: Përkrahja e Bidenit për Izraelin mund t’i kushtojë me humbje të zgjedhjeve - NACIONALE

Demokratët në Michigan: Përkrahja e Bidenit për Izraelin mund t’i kushtojë me humbje të zgjedhjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Demokratët në shtetin kyç amerikan, Michigan, po e paralajmërojnë Shtëpinë e bardhë se përkrahja e presidentit Joe Biden për Izraelin në luftën kundër Hamasit mund t’i kushtojë humbje të mjaftueshme të përkrahjes nga komuniteti arabo-amerikan për ta ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024 në këtë shtet, të cilin Bideni pothuajse nuk mund të lejojë që ta humbë.

Kjo situatë e ka shtyrë Shtëpinë e Bardhë që të diskutojë mënyra për zbutjen e tensioneve me disa prej demokratëve kryesorë në Michigan, përfshirë disa që kanë qenë kritikues të zëshëm të presidentit rreth luftës, raporton gazeta izraelite, “The Times of Israel”.

“Porosia është dërguar. Kemi pasur telefonata me Shtëpinë e Bardhë. Kemi pasur telefonata me zyrtarët e Konventës Kombëtare Demokrate”- tha Abraham Aiyash-i, demokrati i tretë sipas rangut në Dhomën shtetërore të Përfaqësuesve në Michigan. "Kemi qenë të qartë, duke thënë se humanizmi duhet të ketë peshë, por nëse kjo nuk është përllogaritje që do ta bëni në këtë çast, pranojeni se ndaj kësaj do të ketë jehona zgjedhore”- shtoi ai.

Ky anëtar i Partisë Demokratike, që është shef i grupit të ligjvënësve të partisë së Bidenit në Dhomën e Përfaqësuesve të Michigan-it, tha se udhëheqësit arabo-amerikanë, që kanë biseduar me Shtëpinë e Bardhë, janë të shqetësuar për ndërlikimet për (zgjedhjet e vitit) 2024 dhe ia kanë transmetuar këto shqetësime Bidenit. Edhe figura të tjera të rëndësishme të Partisë Demokratike në Michigan kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

“Sigurisht se asnjëri nga ne nuk dëshiron që ta shohë pjesën e dytë të një presidence katastrofale të Trumpit, por ne gjithashtu nuk do t’i japim thjesht në mënyrë pasive Bidenit një mandat të dytë, nëse shqetësimet tona madje nuk denjohen me një përgjigje”- tha demokrati Aiyash.

Në Michigan ndodhet grumbulli më i madh i arabo-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 310 mijë banorë janë me prejardhje nga Lindja e Mesme ose nga Afrika Veriore. Shumë njerëz në këto komunitete po zotohen se do të bëhen bashkë kundër fushatës së Bidenit për mandatin e dytë, nëse ai nuk bën thirrje për armëpushim mes Izraelit e Hamasit.

Presidenti ka nguruar që ta bëjë këtë, duke e theksuar fuqishëm të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, kur u vranë rreth 1.400 njerëz në Izrael e u morën peng mbi 240 të tjerë. Bideni ka hedhur dyshim edhe mbi shifrat e viktimave në Gazë, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.

Lajme të ngjashme