Demokratët brengosen se sondazhet po e nënvlerësojnë përkrahjen për Trumpin - NACIONALE

Demokratët brengosen se sondazhet po e nënvlerësojnë përkrahjen për Trumpin

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Demokratët janë gjithnjë më të brengosur se kompanitë e sondazheve po e nënvlerësojnë gjatë numërimit përkrahjen e elektoratit për kandidatin republikan, Donald Trump, duke e vlerësuar mundësinë e tij për t’i fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit si shumë më të madhe se ajo që po paraqitet në shifrat e anketave.

Përderisa shumica e sondazheve kombëtare po paraqesin epërsi të qëndrueshme për kandidaten demokrate, Kamala Harris, disa përkrahës të saj janë të shqetësuar me dallimin e vogël të epërsisë në tri shtete kyçe – Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania – që cilësohen si të domosdoshme për t’u fituar në garën për Shtëpinë e Bardhë, raporton gazeta “The Guardian”.

Edhe pse disa sondazhe e kanë nxjerrë nënpresidenten Harris me epërsi prej 4 deri në 6 për qind në Pennsylvania – përgjithësisht i vlerësuar si shteti më i rëndësishëm që i ndërron partitë fituese – disa anketa të tjera paraqesin dallim më të vogël me Trumpin. Dallimet më të vogla i ndajnë dy kandidatët në Michigan dhe Wisconsin, ku epërsia e Harrisit është vetëm 1 ose 2 për qind, sipas disa sondazheve të ndryshme që janë zhvilluar rishtazi.

Ajo që po e përforcon frikën e demokratëve është vetëdija që Trumpi në masë të madhe i kishte tejkaluar pritshmëritë në të tria shtetet kyçe në zgjedhjet e vitit 2016, kur me rezultat të ngushtë kishte fituar atje në garën kundër Hillary Clinton-it dhe më 2020, kur ishte mposhtur nga tashmë presidenti Joe Biden, por me dallim shumë më të vogël se që ishte parashikuar.

Brengat po mbështeten edhe te rezultatet e sondazhit më të ri nga gazeta “The New York Times” dhe “Siena”, ku Trumpi paraqitet me rezultate më të fuqishme në tri shtete të tjera të rëndësishme – Georgia, Arizona dhe Karolinë e Veriut – në krahasim me disa javë më parë.

Ky sondazh e paraqet Trumpin me epërsi prej pesë për qind – 50 me 45 për qind – në Arizona, ku Bideni kishte fituar me pak më shumë se 10 mijë vota më 2020, dhe me 4 për qind epërsi në Georgia, ku presidenti i tanishëm kishte fituar me dallim të ngjashëm. Në Karolinë të Veriut, Trumpi doli me epërsi më të vogël – 49 me 47 për qind.

Një shqetësim tjetër është parashikimi se Trumpi do të fitojë në të gjitha shtatë shtetet kyçe, përfshirë Nevadën, nëse ai i tejkalon parashikimet me dallimin e njëjtë që e kishte arritur në zgjedhjet e vitit 2020.

John Fetterman, senator demokrat nga Pennsulvania, tha se Trumpi mbetet kërcënim pavarësisht nga disa sondazhe pozitive për Harrisin në këtë shtet. “Sondazhet vërtet janë dëmtuar seriozisht që nga viti 2016… Trumpi do të jetë i fortë në Penssylvania dhe kjo është absolutisht e vërteta” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme