Dashuria për atdheun: Opozitari i liruar bjellorus e refuzon hyrjen në Lituani, ulet në kufi
Në zonën neutrale të kufirit mes Bjellorusisë e Lituanisë, një burrë i moshuar qëndroi i vetmuar të enjten.
Politikani opozitar bjellorus, Mikola Statkevich, ishte figura më e dalluar në mesin e 52 të burgosurve të liruar më herët të mërkurën nga presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, me kërkesë të homologut të tij amerikan, Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai ishte personi i vetëm që ta kalonte kufirin e të hynte në Lituaninë fqinje, ku të burgosurit e tjerë që ishin liruar u pritën nga zyrtarë amerikanë e udhëheqës të opozitës bjelloruse në ambasadën amerikane në Vilnius.
Ishte e paqartë pse 69-vjeçari kishte refuzuar të largohej. Opozita në ekzil thotë se të burgosurit politikë që janë liruar duhet ta kenë të drejtën për të qëndruar në Bjellorusi, e jo patjetër të dorëzohen para atyre që opozita thotë se praktikisht janë dëbime me forcë.
“Kjo është një dramë e vërtetë, sepse Mikola Statkevich tërësisht refuzoi që të largohej nga Bjellorusia dhe ata po mundohen që ta largojnë me forcë” – i tha agjencisë “Reuters” zyrtari i lartë i opozitës bjelloruse, Franak Viacorka, transmeton gazeta "Nacionale".
“Kjo tregon se sa mizor është regjimi, sepse ata nuk u lanë asnjë zgjedhje njerëzve për të qëndruar apo për të shkuar” – shtoi zyrtari opozitar.
Udhëhqësja e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, në rrjetin X tha se Statkevich-i "thuhet se është kthyer në Bjellorusi".
Ajo e quajti të liruarin “hero të vërtetë të popullit tonë” dhe i uroi “forcë, siguri dhe liri”.
Në pamjet e kamerave kufitare shihej Statkevich-i, i veshur me rroba të zeza, i ulur në një mur të ulët në tokën e askujt mes dy pikave kufitare të dy shteteve. Megjithatë, në pamje të mëvonshme, ai nuk shihej dhe me gjasë ishte kthyer në Bjellorusi.
Vetë Statkevich-i nuk mund të arrihej për koment.
“Ne nuk e konfirmuam identitetin e tij, nuk i pamë dokumentet e tij, por rishtazi ai u kthye dhe hyri në pikëkalimin kufitar bjellorus, tani nuk e shohim. Ai nuk hyri në Lituani” – i tha agjencisë “Reuters” një zëdhënës i rojës kufitare lituane.