Danubi do të përdoret për transportin e drithërave nga Ukraina për në vendet tjera - NACIONALE

Danubi do të përdoret për transportin e drithërave nga Ukraina për në vendet tjera

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Ministrat e Punëve të Jashtme të 14 vendeve nëpër të cilat kalon lumi Danub, ose që ndodhen afër tij, theksuan se do të "intensifikojnë përpjekjet" për të reduktuar varësinë nga energjia nga Rusia dhe se do të përmirësojnë rrugën ujore të Danubit në mënyrë që të transporti i grurit nga Ukraina të jetë më i lehtë.

Përfaqësues të Gjermanisë, Austrisë, Republikës Çeke, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Sllovakisë, Hungarisë, Serbisë, Malit të Zi, Ukrainës, Rumanisë, Bullgarisë dhe Moldavisë u mblodhën në qytetin sllovak të Košice. Forumi i tyre u organizua si pjesë e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin e Danubit (EUSDR), një kuadër për diskutim dhe bashkëpunim midis vendeve të zonës.

Shumica e ministrave morën pjesë në takim online dhe miratuan një deklaratë të përbashkët, një dokument ligjërisht jodetyrues me të cilin ata koordinojnë politikat e tyre. "Ne do të intensifikojmë përpjekjet për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile ruse duke diversifikuar burimet e energjisë dhe rrugët e furnizimit," thuhet në deklaratën me katër faqe.

Tranzicioni i energjisë

Vendet e Danubit shtuan se do të inkurajojnë njëkohësisht "tranzicionin e energjisë", domethënë përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të klimës të rënë dakord. Në deklaratë, ata theksuan gjithashtu nevojën e përdorimit të një rruge alternative për eksportin e drithit nga Ukraina për shkak të bllokadës ruse të porteve në Detin e Zi.

“Në këto kushte (...) portet në Danub janë bërë një nga rrugët e mundshme për të dalë nga kriza ushqimore”, thuhet në deklaratë. Vendet synojnë të thjeshtojnë më tej procedurat, të tilla si doganat, për ushqimet që do të vijnë nga Ukraina në Evropën Lindore dhe Qendrore nëpërmjet Danubit.

Pas Vollgës, Danubi është lumi i dytë më i madh në Evropë për nga gjatësia më 2860 kilometra. Në vitin 2019, Ukraina eksportoi 16 për qind të furnizimeve botërore të misrit dhe 42 për qind të vajit të lulediellit, sipas Kombeve të Bashkuara. Rënia e dërgesave ka rritur çmimet e ushqimeve. /Nacionale/

Lajme të ngjashme