Danimarka arreston disa persona, dyshohen për përgatitje të sulmit terrorist - NACIONALE

Danimarka arreston disa persona, dyshohen për përgatitje të sulmit terrorist

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia në kryeqytetin danez, Kopenhagë, dhe Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës i Danimarkës thanë të enjten se kishin arrestuar disa persona në veprime të bashkërenduara në mbarë vendin nën dyshimin për përgatitjen e një sulmi terrorist.

Policia e Kopenhagës dhe Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës thirrën një konferencë për gazetarë për orën 13 në selinë qendrore të policisë së kryeqytetit, raporton agjencia “Reuters”.

Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës për më shumë se një dekadë ka paralajmëruar për sulme të mundshme dhe që nga viti 2010 e ka mbajtur në shkallën e katërt nivelin e paralajmërimit për rrezik nga sulmet terroriste. Në shkallën prej 1 deri në 5, niveli 4 përshkruhet si rrezik “i konsiderueshëm”.

Ky shërbim kishte pranuar në gusht se ishte shtuar rreziku ndaj Danimarkës, pasi aktivistët anti-islamikë kishin dëmtuar disa kopje të Kuranit gjatë verës, por atë kohë kishte thënë se nuk kishte arsye për ta ngritur nivelin e paralajmërimit në shkallën më të lartë.

Para disa ditëve, Kuvendi i Danimarkës miratoi një ligj për ndalimin e djegies së kopjeve të Kuranit në vende publike.

Lajme të ngjashme