Danimarka e miraton ligjin për ndalimin e djegies së kopjeve të Kuranit në vende publike
Kuvendi i Danimarkës të enjten miratoi një ligj që e bën të paligjshme djegien e kopjeve të Kuranit në vende publike. Ky vendim erdhi pas protestave të shteteve me shumicë myslimane kundër përdhosjes së librit të shenjtë të Islamit, të cilat e shtuan shqetësimin për sigurinë në Kopenhagë.
Danimarka dhe Suedia u ballafaquan me një varg protestash publike këtë vit, në të cilat aktivistët kundër Islamit dogjën ose dëmtuan kopje të Kuranit, duke nxitur tensione me myslimanët dhe duke shkaktuar kërkesa që autoritetet e vendeve nordike t’i ndalonin këto veprime, raporton agjencia “Reuters”.
Kopenhaga u mundua që të vendoste baraspeshë mes mbrojtjes kushtetuese të lirisë së shprehjes, përfshirë të drejtën për t’i kritikuar fetë, dhe sigurisë kombëtare në kohën e frikës se djegiet e Kuranit do të mund të nxisnin ndonjë sulm nga islamistët.
Kritikuesit e brendshëm në Suedi e Danimarkë kanë argumentuar se çfarëdo kufizimi ndaj kritikave për fetë, përfshirë përmes djegies së Kuranit, i minon liritë liberale për të cilat është bërë shumë mund në rajon.
“Historia do të na gjykojë ashpër për këtë, dhe me arsye të mirë.. E tërë kjo përmblidhet te pika nëse një kufizim ndaj lirisë së shprehjes është i përcaktuar nga ne, apo nëse ai diktohet nga jashtë”- tha Inger Stojberg, kryetare e partisë Demokratët e Danimarkës, e cila ka qëndrime kundër imigrantëve dhe kundër ligjit të ri për ndalimin e djegies së Kuranit në vende publike.
Në anën tjetër, koalicioni qeveritar ka argumentuar se rregullat e reja do të kenë vetëm ndikim margjinal ndaj lirisë së shprehjes dhe se kritikimi i feve në mënyrë të tjera mbetet i ligjshëm.
Shkelja e ligjit të ri ndëshkohet me gjoba ose me burgim deri në dy vjet, kanë thënë autoritetet ekzekutive.
Edhe Suedia është duke shqyrtuar mënyra për ta kufizuar me ligj përdhosjen e Kuranit, por është duke marrë qasje tjetër nga Danimarka.