Dalin fjalët e Putinit, në Gjermani parashikohet tkurrje ekonomike më 2023 - NACIONALE

Dalin fjalët e Putinit, në Gjermani parashikohet tkurrje ekonomike më 2023

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Katër institute të njohura ekonomike në Gjermani pothuajse e kanë përgjysmuar shifrën e parashikuar për rritje ekonomike për këtë vit dhe kanë parashikuar tkurrje ekonomike për vitin e ardhshëm.

Sipas katër instituteve, rritja ekonomike në Gjermani këtë vit do të jetë vetëm 1.4 për qind, edhe pse në pranverë kishin parashikuar rritje 2.7 për qind, raporton agjencia “Reuters”.

Parashikimi i tyre për vitin e ardhshëm është tkurrja ekonomike për 0.4 për qind, edhe pse më parë kishin parashikuar rritje prej 3.1 për qind.

“Kriza në tregjet e gazit është duke pasur ndikim të rëndë në ekonominë gjermane”, thanë katër institutet: Ifo, me seli në Mynih, Instituti Kiel për Ekonomi Botërore, Instituti Halle për Hulumtime Ekonomike dhe Instituti Leibniz për Hulumtime Ekonomike.

Në qershor të këtij viti, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se sanksionet e Perëndimit e kanë goditur vetë ekonominë e vendeve evropiane.

“Vendet evropiane tashmë u kanë dhënë një goditje serioze vetë ekonomive të tyre. Humbjet e drejtpërdrejta (të Bashkimit Evropian) nga ftohja e sanksioneve mund ta kalojë shifrën prej 400 miliardë dollarësh në vit… Vendet e Eurozonës nuk janë duke kryer operacione speciale ushtarake dhe inflacioni i tyre është i lartë”, tha para disa muajve presidenti rus, siç raporton gazeta amerikane, "The Wall Street Journal".

Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka mohuar pretendimet e Rusisë se Perëndimi është përgjegjës për krizën e drithërave, duke thënë se është Rusia ajo që po i bllokonte portet ukrainase në pranverë dhe se i ka shkatërruar qendrat e grumbullimit në Ukrainë.

Sidoqoftë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se sanksionet ndaj Rusisë duhet të hiqen, sepse, sipas tij, ato i kanë rritur çmimet e gazit dhe inflacionin./Nacionale

Lajme të ngjashme