CNN: ShBA-ja qe përgatitur për sulm të mundshëm bërthamor të Rusisë në Ukrainë më 2022
Në fund të vitit 2022, ShBA-ja nisi “të përgatitej në mënyrë rigoroze” që Rusia potencialisht ta sulmonte Ukrainën me një armë bërthamore, që do të kishte qenë sulmi i parë bërthamor në luftë që nga hedhja e bombave bërthamore nga ShBA-ja në Hiroshima dhe Nagasaki gati 80 vjet më parë, i thanë televizionit CNN dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Administrata e presidentit Joe Biden ishte në mënyrë specifike e shqetësuar se Rusia mund të përdorte një armë bërthamore taktike ose të fushës së betejës, thanë zyrtarët, raporton televizioni CNN.
Reporteri Jim Sciutto thotë se kishte raportuar fillimisht më 2022 se zyrtarët amerikanë ishin të brengosur që Rusia do të mund të përdorte një armë bërthamore taktike, por në librin e tij të ri, “Kthimi i Fuqive të Mëdha”, që do të botohet më 12 mars, zbulon hollësi ekskluzive për nivelin e pashembullt të planifikimit urgjent që ishte kryer, përderisa zyrtarë të lartë të administratës së Bidenit po alarmoheshin gjithnjë më shumë nga situata.
“Kjo është ajo që na e paraqiti neve konflikti, prandaj besuam dhe mendoj se është e drejta jonë që të përgatitemi në mënyrë rigoroze dhe të bëjmë gjithçka të mundshme për ta shmangur atë që të mos ndodhte” – tha zyrtari i parë i lartë i administratës amerikane.
Ajo që e çoi administratën e Bidenit që të arrinte te një vlerësim i tillë befasues nuk ishte një tregues, por një grup zhvillimesh, analizash dhe – në mënyrë jetike – të dhënat e reja e shumë të ndjeshme të inteligjencës.
Një zyrtar tjetër i lartë i administratës së Bidenit tha se frika e Qeverisë “nuk ishte vetëm hipotetike – ishte gjithashtu e mbështetur në disa të dhëna që ne i morëm”.
“Ne duhej të planifikonim në mënyrë që të ishim në pozicionin më të mirë të mundshëm në rast se kjo ngjarje jo më e paimagjinueshme do të ndodhte në të vërtetë” – shtoi zyrtari i lartë amerikane.
Gjatë periudhës nga fundi i verës deri në vjeshtën e vitit 2022, Këshilli i Sigurisë Kombëtare kishte organizuar një varg takimesh për të futur në fuqi plane urgjente “në rast se qoftë një tregues shumë i qartë se ata do të bënin diçka, të sulmonin me një armë bërthamore, ose nëse vetëm do ta kishin bërë, si do të reagonim ne, si do ta parandalonim atë” – tha zyrtari i parë i lartë i administratës.
“Nuk mendoj se shumë prej nesh që vinim në vendet tona të punës prisnim që të kalonim kohë të konsiderueshme të kohës duke u përgatitur për një skenar për të cilin para pak vjetëve besohej se ishte nga një epokë e shkuar” – shtoi zyrtari i lartë.
Fundi i verës së vitit 2022 po bëhej periudhë shkatërruese për forcat ruse në Ukrainë. Forcat ukrainase po avanconin në Khersonin e pushtuar nga rusët në jug. Ky qytet kishte qenë fitorja më e madhe e Rusisë gjatë pushtimit. Tani, ai ishte në rrezik që të humbej gjatë kundërsulmit ukrainas. Në mënyrë thelbësore, përderisa forcat ukrainase po përparonin, njësi të tëra ruse ishin në rrezik që të rrethoheshin. Pikëpamja brenda administratës së Bidenit ishte që një humbje e tillë katastrofale do të mund të ishte “nxitëse potenciale” për përdorimin e armëve bërthamore.
Rusia po humbte terren brenda territorit sovran ukrainas, jo brenda Rusisë. Megjithatë, zyrtarët amerikanë ishin të shqetësuar se presidenti rus, Vladimir Putin, e shihte ndryshe këtë situatë. Ai i kishte thënë popullit rus se Khersoni tashmë ishte pjesë e Rusisë dhe, kështu, mund të perceptonte një humbje shkatërruese atje si kërcënim të drejtpërdrejtë për të dhe për shtetin rus.
Në të njëjtën kohë, makineria e propagandës ruse po vinte në qarkullim një rrëfim të rremë për gjoja një “bombë të ndyrë” të Ukrainës. Zyrtarët amerikanë kishin frikë se kjo propagandë mund të përdorej si justifikim për një sulm bërthamor.
Në tetor të vitit 2022, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, kishte zhvilluar një varg telefonatash me zyrtarë të mbrojtjes në ShBA, Britani, Francë e Turqi, duke u thënë atyre se Kremlini ishte “i shqetësuar për provokime të mundshme nga Kievi, përfshirë përdorimin e një bombe të ndyrë”./Nacionale