CNN: Diplomatët e kanë njoftuar Bidenin për shtimin e tërbimit kundër ShBA-së në botën arabe - NACIONALE

CNN: Diplomatët e kanë njoftuar Bidenin për shtimin e tërbimit kundër ShBA-së në botën arabe

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së ka marrë paralajmërime të qarta nga diplomatët amerikanë në botën arabe se mbështetja e fuqishme e Uashingtonit për fushatën shkatërruese e vdekjeprurëse ushtarake të Izraelit në Gaza “po na humb publik arab për një gjeneratë”, sipas një telegrami diplomatik të siguruar nga televizioni CNN.

Ky telegram diplomatik e thekson shqetësimin e thellë në mesin e zyrtarëve amerikanë për shtimin e zemërimit kundër Shteteve të Bashkuara, që shpërtheu pak pas nisjes së operacioneve të Izraelit kundër Hamasit, pas sulmeve të këtij grupi në Izrael, ku u vranë mbi 1.400 njerëz.

“Jemi duke humbur keq në fushëbetejën e mesazheve”- shkruhet në dokumentin diplomatik nga ambasada amerikane në Oman, ku citohen biseda me “një gamë të gjerë të kontakteve të besuara e mendjekthjellëta”.

Mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara për veprimet e Izraelit po shihet, siç paralajmërohet në këtë dokument, “si fajësi material e morale në atë që ato që ata i konsiderojnë krime të mundshme lufte”.

Telegrami i ambasadës amerikane në Oman ishte shkruar nga zyrtari i dytë më i lartë i ShBA-së në Oman dhe u ishte dërguar, mes të tjerëve, edhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, CIA-s dhe FBI-së. Përderisa bëhet fjalë vetëm për një telegram nga një ambasadë rajonale, ky shkrim ofron pamje private të alarmit rreth ngritjes së valës anti-amerikane në Lindje të Mesme, thekson televizioni CNN.

Përmes një telegrami tjetër diplomatik, të siguruar nga ky televizion nga ambasada amerikane në Kajro të Egjiptit, Uashingtonit iu përcoll komenti në një gazetë shtetërore egjiptiane, ku thuhet: “Mizoria dhe shpërfillja e presidentit Biden për palestinezët i tejkalon të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë”.

Televizioni CNN i ka dërguar pyetje Departamentit të Shtetit për t’i komentuar këto telegrame.

Presidenti Biden ka qenë nën presion të shtuar brenda e jashtë vendit për përkrahjen e ofruar për Izraelin në kohën e pamjeve të shkatërrimit në Gaza e krizës së rëndë humanitare atje. Përderisa administrata u ka rezistuar thirrjeve për armëpushim, zyrtarët kanë punuar për ta shtuar dërgimin e ndihmave në enklavën e izoluar dhe kanë bërë thirrje për zbatimin e pauzave humanitare për t’i mundësuar shpërndarjen e ndihmave dhe largimin e civilëve nga luftimet.

Ditëve të fundit, aleatët e Shteteve të Bashkuara në botën arabe e kanë bërë të qartë zemërimin e tyre të thellë për krizën humanitare në Gaza.

Fundjavën e kaluar, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, mori pjesë në një samit të organizuar nga Jordania, ku kishte edhe diplomatë nga Egjipti, Katari, Arabia Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe. Zyrtarët arabë bënë thirrje për armëpushim në Gaza, ndërsa Blinkeni e theksoi përsëri pozicionin e ShBA-së, duke argumentuar se kjo masë do t’i jepte kohë Hamasit për t’u rigrupuar e për të kryer një sulm tjetër ndaj Izraelit.

Lajme të ngjashme